Vendosni fjalën kyçe....

Pas sulmit kibernetik ndaj Postës, Demo: Shërbimet vijojnë normalisht


Ministri i Shtetit për Qeverisjen Vendore, Ervin Demo, ka reaguar pas sulmit kibernetik të ndodhur një ditë më parë ndaj Postës Shqiptare nga grupi “Homeland Justice”, duke bërë me dije se situata është nën kontroll dhe shërbimet vijojnë pa ndërprerje.

Pas mbledhjes së qeverisë, Demo deklaroi se aktualisht po zhvillohet një analizë e detajuar nga AKSHI dhe ekspertët e Postës Shqiptare për të kuptuar plotësisht çfarë ka ndodhur.

Sipas tij, deri në këto momente nuk ka të dhëna që të ketë informacion të enkriptuar apo të paaksesueshëm, ndërsa theksoi se duhet pritur raporti përfundimtar i institucioneve përgjegjëse.

“Është duke u zhvilluar një analizë nga AKSHI dhe ekspertët e postës shqiptare. Të gjitha shërbimet vazhdojnë normalisht.

Nuk ka të dhëna, deri më tani, që ka informacione të enkriptuara të cilat janë të paaksesushme nga posta. Por, duhet të presim raportin e institucioneve për sa i përket asaj çfarë ka ndodhur brenda postës.

Ajo çfarë dua të nënvizoj është që autoriteti i luftës kibernetike i ka kapacitetet dhe i rrit garancitë dita-ditës sa i përket integritetit të të dhënave publike të institucioneve shqiptare. Jo të gjithë institucionet janë të përfshirë në ombrellën e kësaj mbrojtje”, tha Demo.