Vendosni fjalën kyçe....

Opozita zhvillon protestë para Kryeministrisë, policia paralajmëron se nuk do ta marrë përsipër sigurinë



Opozita shqiptare zhvillon sot protestën e radhës kombëtare në Tiranë, duke u mbledhur para Kryeministrisë për të shprehur pakënaqësitë e saj ndaj qeverisë.

Policia e Tiranës ka reaguar zyrtarisht, duke bërë me dije se, duke pasur parasysh incidentet e mëparshme ku u hodhën bomba molotov dhe mjete piroteknike, nuk merr përsipër sigurinë e tubimit. Megjithatë, forcat e rendit kanë marrë të gjitha masat e nevojshme në rast se tubimi zhvillohet.

Sipas njoftimit të policisë, qarkullimi i automjeteve do të bllokohet nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Policia paralajmëron se në varësi të zhvillimeve të protestës, mund të ketë kufizime të tjera të qarkullimit dhe ka parashikuar rrugë alternative për automjetet që duhet të lëvizin në zonën e bllokuar.

Forcat e rendit bëjnë apel për qytetarët që të shmangin lëvizjen në akset e bllokuara dhe të përdorin rrugët alternative. Po ashtu, qytetarët inkurajohen të distancohen nga çdo veprim i dhunshëm dhe të denoncojnë çdo paligjshmëri që mund të hasin gjatë protestës.

Policia thekson se masat janë marrë për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, edhe në kushtet e një tubimi që mund të ketë zhvillime të paparashikueshme.