
Sot pritet të rinisin diskutimet mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, dhe kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për zgjidhjen e çështjes së presidentit.
Deputeti i LDK-së, Besjan Mustafa, ka bërë të ditur se takimi do të zhvillohet në ambientet e Kuvendit të Kosovës, duke nisur nga ora 11:00.
Ndërkohë, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka refuzuar të komentojë mbi këto zhvillime, duke u shprehur se nuk është momenti i duhur për të diskutuar tema të tilla, gjatë homazheve për masakrën e Rezallës.
Nga ana tjetër, analisti politik Artan Muhaxhiri është shprehur skeptik për arritjen e një marrëveshjeje, duke theksuar se zgjidhja më reale mbetet shkuarja në zgjedhje të reja.
Sipas tij, takimet mes palëve mund të jenë formale, por mungon hapësira për bashkëpunim konkret, pasi opozita vështirë se do të mbështesë një kandidat të propozuar nga pushteti në kushtet aktuale politike.