
Ukraina mund t’i bashkohet Bashkimit Evropian që në janar 2027, sipas planit më të fundit amerikan për t’i dhënë fund luftës me Rusinë. Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi për DW se anëtarësimi i Ukrainës në BE është një element kyç në çdo marrëveshje të ardhshme paqeje.
“Kur flasim për anëtarësimin e Ukrainës në BE, për mua kjo është spiranca politike e garancive të sigurisë,” tha Kos, duke shtuar se integrimi në BE është “i vetmi rrugëtim që siguron paqe të qëndrueshme dhe të drejtë”.
Sa i përket afatit të përfolur, janar 2027, Kos u shpreh se gjithçka varet nga shpejtësia e reformave të Ukrainës dhe nga qëndrimet e 27 vendeve anëtare për pranimin e saj.
“Ne mund të kujdesemi që Ukraina të jetë demokratike,” tha ajo. “Ne mund të kujdesemi që njerëzit të ndiejnë realisht përfitimet e të qenit pjesë e BE-së.”