Vendosni fjalën kyçe....

Ursula von der Leyen viziton Kosovën më 15 tetor – pjesë e turneut në Ballkanin Perëndimor



Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të qëndrojë në Kosovë më 15 tetor, si pjesë e një vizite zyrtare në shtetet e Ballkanit Perëndimor. Gjatë qëndrimit të saj në Prishtinë, ajo do të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, përcjell REL.

Vizita e Von der Leyen në rajon fillon më 13 tetor në Tiranë, ku do të marrë pjesë në ceremoninë hapëse të Forumit për Investime BE–Ballkani Perëndimor dhe do të takohet me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama. Po të njëjtën ditë, ajo do të ndalet në Tivat të Malit të Zi për takime me presidentin Jakov Millatoviq dhe kryeministrin Millojko Spajiq.

Më 14 tetor, presidentja e Komisionit Evropian do të udhëtojë drejt Bosnjë e Hercegovinës, ku do të zhvillojë takime me anëtarët e Presidencës dhe kryeministren Borjana Krishto, si dhe do të vizitojë Qendrën Memoriale të Srebrenicës.

Para mbërritjes në Kosovë, Von der Leyen do të vizitojë edhe Beogradin, ku do të takohet me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin Gjuro Macut. Pas qëndrimit në Prishtinë, ajo do ta përmbyllë turneun në Maqedoninë e Veriut me takime me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova, kryeministrin Hristijan Mickoski dhe kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi.

Kjo është vizita e parë e Von der Leyen në Kosovë që nga tetori i kaluar, kur ajo kishte folur për masat ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës për shkak të tensioneve në veri. Gjatë asaj vizite, ajo kishte vlerësuar përpjekjet e Kosovës në procesin e reformave të nevojshme për përfitim nga Plani i Rritjes i BE-së.

Aktualisht, Kosova nuk ka përfituar nga ky plan, i cili kap vlerën prej 6 miliardë eurosh dhe synon të përshpejtojë integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE përmes investimeve dhe reformave gjatë periudhës 2024–2027. Nga kjo shumë, 2 miliardë janë ndarë si grante, ndërsa 4 miliardë si kredi me kushte të favorshme.

Vizita e Von der Leyen vjen në një kohë të rëndësishme për marrëdhëniet ndërmjet BE-së dhe vendeve të rajonit, veçanërisht në kontekstin e integrimit evropian dhe përshpejtimit të reformave.