Vendosni fjalën kyçe....

Rama pas rezultateve të TALIS: Mësuesit shqiptarë, mbi mesataren e vendeve të OECD, krenar për ju


Shqipëria është renditur me rezultate pozitive në testimin ndërkombëtar TALIS – Anketa Ndërkombëtare e Mësimdhënies dhe të Nxënit, ku marrin pjesë 55 vende të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).

Në ceremoninë e prezantimit të rezultateve, Kryeministri Edi Rama shprehu krenarinë për mësuesit shqiptarë, duke e cilësuar këtë një arritje të rëndësishme për arsimin në vend.

“Erdha këtu me një kënaqësi të veçantë sepse është një lajm shumë i mirë për prindërit, që në një anketim ndërkombëtar për mësimdhënie dhe të nxënit mes 55 sistemeve arsimore në Europë dhe më gjerë, mësuesit tanë kanë dalë mirë. Kjo është merita e tyre, por edhe një pasqyrë e përpjekjes që kemi bërë së bashku për t’i mbështetur në vazhdimësi. Ndihem krenar për ju, për gjithë mësuesit e Shqipërisë, që në një anketim kaq sfidues kemi dalë me rezultate domethënëse e pozitive,” deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se gjetjet e raportit konfirmojnë përkushtimin dhe motivimin e mësuesve shqiptarë, si dhe ndikimin e reformave arsimore të ndërmarra gjatë viteve të fundit.

“Ka disa të dhëna shumë inkurajuese përsa i përket objektivave tona, veçanërisht në drejtim të nxitjes së teknologjisë. Është shumë pozitive që mesatarja e mësuesve tanë që përdorin teknologjinë është më e lartë se mesatarja e përgjithshme e sistemeve të përfshira në këtë anketim. Po ashtu, përpjekjet për partneritet mes shkollës, prindërve dhe nxënësve reflektohen më pozitivisht se mesatarja ndërkombëtare,” shtoi Kryeministri.

Raporti TALIS vlerëson angazhimin profesional të mësuesve shqiptarë, përgatitjen e tyre akademike dhe rolin që ata kanë në krijimin e një mjedisi arsimor modern dhe bashkëkohor.