Vendosni fjalën kyçe....

Samiti i G7-ës po hapet në Kanada, fokus në tregti


Ndërsa udhëheqësit e vendeve më të industrializuara të botës mblidhen këtë javë në samitin e G7-ës në Kananaskis të Kanadasë, sfidat janë më të mëdha se kurrë: tensionet tregtare, konfliktet në Ukrainë, Gaza dhe përshkallëzimi mes Izraelit dhe Iranit, së bashku me sfidat klimatike, migracionin, trafikun e drogës dhe dominimin e Kinës në zinxhirët e furnizimit.

Për herë të parë pas vitit 2018, presidenti amerikan Donald Trump merr pjesë në këtë forum, duke rikthyer kujtimet e samitit të fundit në Quebec, kur ai u largua mes polemikave dhe refuzoi të mbështeste deklaratën e përbashkët të vendeve anëtare. Edhe këtë vit, nuk pritet që të ketë një komunikatë të përbashkët, çka shihet si sinjal i qartë se administrata Trump nuk e sheh të nevojshme ndërtimin e konsensusit me demokracitë e tjera.

Trump tashmë ka vendosur tarifa të reja ndaj dhjetëra vendeve dhe ka sinjalizuar se nuk do të hezitojë të zbatojë masa të ngjashme për të mbrojtur industrinë amerikane. “Ne i kemi marrëveshjet tona. E gjitha që duhet të bëjmë është të dërgojmë një letër: ‘Kjo është ajo që duhet të paguani’,” deklaroi ai para nisjes për në Kanada.

Pavarësisht klimës së tensionuar, udhëheqësit e vendeve si Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Japonia dhe Italia janë përpjekur të ruajnë një ton miqësor ndaj presidentit amerikan, për të shmangur përplasje të tjera publike.

Samiti zhvillohet në një moment delikat për vetë ekzistencën e G7-ës, ndërkohë që administrata Trump nuk ka konfirmuar ende pjesëmarrjen në samitin e G20-ës në nëntor në Afrikën e Jugut. Disa analistë paralajmërojnë se SHBA po distancohet gjithnjë e më shumë nga koncepti i bashkëpunimit shumëpalësh në çështje globale./AP