
Presidenti amerikan Donald Trump ka hedhur poshtë një përpjekje për pajtim me Elon Musk, duke e quajtur atë një person që “ka humbur mendjen”, ndërsa përplasja mes dy ish-aleatëve të ngushtë politikë po thellohet edhe më tej.
Në një intervistë telefonike për ABC News të premten, Trump u pyet për raportimet se ishte planifikuar një telefonatë me Musk, përcjell The Guardian.
“Po flisni për njeriun që ka humbur mendjen?”, u përgjigj presidenti, duke shtuar se nuk ishte “veçanërisht i interesuar” të fliste me të.
Ky qëndrim i ftohtë vjen pas një serie shkëmbimesh të ashpra në rrjetet sociale mes Trump dhe njeriut më të pasur në botë, i cili më parë kishte qenë një përkrahës i fortë financiar i presidentit gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2024.
Zënka e befasishme mes tyre shpërtheu të enjten, pasi Musk kritikoi projektligjin e Trump për taksat dhe shpenzimet, duke paralajmëruar se politikat e tij tregtare do të çonin në një recesion. Musk gjithashtu nxori në pah lidhjet e mundshme të Trump me pedofilin e dënuar Jeffrey Epstein.
Përballë këtyre përplasjesh, Musk kishte sinjalizuar më herët një gatishmëri për të ulur tensionet.
Ai u tërhoq nga kërcënimi për të çaktivizuar anijen kozmike Dragon të kompanisë së tij SpaceX, e përdorur nga NASA, dhe iu përgjigj pozitivisht thirrjes së miliarderit Bill Ackman për pajtim.
“Këshillë e mirë. Në rregull, nuk do ta çaktivizojmë Dragon”, shkroi Musk në X (ish-Twitter).
Gjithashtu, Politico raportoi se Shtëpia e Bardhë po përpiqej të ndërmjetësonte një telefonatë pajtimi mes të dyve, me ndihmësit e presidentit që përpiqeshin ta bindnin atë të zbutte tonet kundër Musk. Por më vonë, burime të shumta raportuan se telefonata nuk ishte më në plan.
Në një dalje për shtyp nga Shtëpia e Bardhë të enjten, Trump kishte shprehur zhgënjimin e tij ndaj Musk, ndërsa më vonë në një postim në Truth Social shkroi:
“Nuk më shqetëson që Elon është kthyer kundër meje, por duhej ta kishte bërë më parë”, duke shtuar se projektligji i tij për uljen e taksave ishte një nga “projektligjet më të mëdha ndonjëherë të paraqitura në Kongres”.
Megjithë tensionet publike, Trump u përpoq të paraqitej i qetë përballë situatës. Në një koment për Politico, ai tha: “Gjithçka po ecën shumë mirë, nuk kam qenë kurrë më mirë. Shifrat janë në qiell”, duke iu referuar sondazheve që sipas tij e favorizojnë.
Ndërkohë, marrëdhënia mes presidentit dhe CEO-së së Tesla dhe SpaceX mbetet në pikën më të ulët që prej bashkëpunimit të tyre të ngushtë gjatë mandatit të parë të Trump.