Vendosni fjalën kyçe....

Shefi i inteligjencës izraelite akuza Netanyahut: Më kërkoi besnikëëri të verbër, të dilja kundër  Gjykatës Supreme


Ronen Bar

Shefi i inteligjencës së brendshme izraelite ka akuzuar Benjamin Netanyahun se i kërkoi që të përgatitej për të sfiduar Gjykatën Supreme të vendit, pasi paraqiti një sërë pretendimesh kundër kryeministrit me të cilin është në një betejë ligjore.

Në një deklaratë nën betim në Gjykatën Supreme të hënën, kreu i Shin Bet Ronen Bar tha se atij i ishte kërkuar gjithashtu të përdorte kompetencat e agjencisë së tij të spiunazhit për të mbikëqyrur protestuesit antiqeveritarë dhe për të ndalur gjyqin në vijim për korrupsion ndaj kryeministrit.

Dokumenti u depozitua përpara diskutimeve të mëtejshme nga gjyqtarët nëse Netanyahu mund të shkarkojë ligjërisht shefin e spiunazhit. Qeveria e tij shkarkoi Bar-in muajin e kaluar, por Gjykata Supreme lëshoi ​​një urdhër që ndalonte shkarkimin derisa të zgjidhej ligjshmëria e tij.

Kjo erdhi mes një përplasjeje më të gjerë midis qeverisë dhe autoriteteve gjyqësore izraelite. Bar tha në deklaratë se Netanyahu kishte kërkuar që në çdo përplasje kushtetuese të ardhshme, “Unë duhet t’i bindesha kryeministrit dhe jo Gjykatës Supreme”.

Që kur u bë kjo kërkesë, shqetësimet janë shtuar se shkarkimi i Bar-it mund të bëhej vetë shkas për një krizë kushtetuese nëse qeveria e Netanyahut do kundërshtonte t’i bindej një vendimi të Gjykatës Supreme.

Në dokument, udhëheqësi i Shin Bet (Shërbimi i Brendshëm i Inteligjencës) tha se Netanyahu ishte përpjekur të politizonte shërbimin e brendshëm të inteligjencës për qëllimet e tij personale dhe politike, duke shtuar se përçarja mes të dyve buronte nga kundërshtimi i Bar-it për t’u pajtuar me kërkesat e kreut të qeverisë.

“Origjina e shkarkimit tim nuk kishte të bënte me dimensionin profesional  timin, por më tepër me pritshmëritë e kryeministrit Netanyahu për besnikëri personale timen ndaj tij,” shkroi Bar.

Bar tha se ai kishte kundërshtuar një shtytje të Netanyahu për të nxjerrë një certifikatë sigurie në fund të vitit të kaluar, pasi Izraeli ishte i përfshirë në konflikte të shumta, për t’i mundësuar kryeministrit të shmangte dëshminë në gjyqin e tij të prej shumë kohësh për korrupsion.

Ai gjithashtu kishte kundërshtuar të përdorte mjetet e fuqishme të inteligjencës së agjencisë së tij për të spiunuar protestuesit kundër qeverisë, shkroi ai në pjesën publike të deklaratës, e cila ishte dhjetëra faqe, duke përfshirë pjesë të klasifikuara që nuk u bënë publike.

Bar tha se dokumenti i plotë përfshin prova për të gjitha pretendimet e tij.

Zyra e Netanyahut tha: “Deklarata e Ronen Bar është plot gënjeshtra dhe zbulon dështimet e tij”.

Aleatët e Netanyahut në qeveri dhe në mediat sociale, duke përfshirë djalin e tij Yair, kanë përshkallëzuar sulmet në Bar në javët e fundit, duke e akuzuar atë për tradhti dhe drejtimin e një “policie sekrete” dhe “milicie private” që ata e kanë krahasuar me STASI-n e Gjermanisë Lindore.

Këto sulme kanë qenë pjesë e një sulmi më të gjerë publik nga qeveria ndaj asaj që Netanyahu e ka quajtur “deep state”, duke përfshirë përpjekjen për t’ia hedhur fajin për sulmin shkatërrues të Hamasit më 7 tetor 2023, shefave të sigurisë në kohën e sulmit.

Autoritetet ligjore izraelite, duke përfshirë Shin Bet, kanë hetuar gjithashtu ndihmësit e lartë të Netanyahut me pretendimin se se kanë ndërmarrë punë lobimi me pagesë në emër të Katarit dhe kanë nxjerrë dokumente të klasifikuara.

Përveç Bar-it, qeveria është përjekur të shkarkojë prokurorin e përgjithshëm dhe ka kundërshtuar të njohë emërimin e kryetarit të tanishëm të Gjykatës Supreme, ndërkohë që shefi i shtabit të ushtrisë dhe ministri i Mbrojtjes janë shkarkuar tashmë nga postet e tyre.

Aleatët e Netanyahut kanë ngritur herë pas here edhe teori konspirative duke sugjeruar se Bar, së bashku me shefat e tjerë të sigurisë, e lejuan sulmin e 7 tetorit në Izraelin jugor në një përpjekje për të rrëzuar kryeministrin.

Bar, në deklaratën e tij nën betim, i quajti akuza të tilla “gënjeshtra që nuk janë asgjë më shumë se sulm institucional kundër meje dhe Shin Bet”.

Ai tha se më shumë se një orë para sulmit shkatërrues të Hamasit, ai kishte udhëzuar që sekretari ushtarak i Netanyahut të njoftohej për sinjalet e parregullta të inteligjencës që vinin nga Gaza.

Netanyahu të hënën tha se ndihmësi i tij ushtarak u njoftua vetëm disa minuta përpara sulmit të militantëve palestinezë më 7 tetor. Ai mohoi se kishte kërkuar masa për të shtyrë gjyqin e tij ose kishte kërkuar “përgjim të paligjshëm” ndaj protestuesve antiqeveritarë.

“Ronen Bar është koka e dështimit të 7 tetorit dhe ai duhet të shkojë në shtëpi”, shtoi Netanyahu.

Kryeministri ka kundërshtuar vazhdimisht të shprehë çdo pranim të përgjegjësisë për humbjen më të rëndë të jetëve në historinë izraelite dhe ka penguar krijimin e një komisioni kombëtar të hetimit për të hetuar plotësisht sulmin.

Të dielën, kreu i opozitës Yair Lapid paralajmëroi kundër shenjëstrimit të Bar-it, duke nënvizuar se “nivelet e nxitjes dhe çmendurisë nga kryeministri janë të papara”.

Lapid shtoi: “Nëse nuk e ndalojmë këtë, do ketë një vrasje politike këtu. Ndoshta më shumë se një. Hebrenjtë do vrasin hebrenjtë.”

Bar-i kishte pranuar më parë përgjegjësinë për dështimet që lejuan sulmin e Hamasit dhe kishte thënë se synonte të largohej para përfundimit të mandatit të tij.

Në deklaratë, ai tha se “në të ardhmen e afërt” ai do caktonte një datë për largimin e tij, por tha se seanca gjyqësore ishte kritike për të siguruar që pasardhësi i tij të mbetej jopolitik, profesional dhe respektues i ligjit.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Financial Times

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani