
Policia ka arrestuar në Tiranë shtetasin Daniel Korali, 45 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane. Ai ishte dënuar nga Gjykata e Mesinës me 4 vjet e 3 muaj burg për kanosje, zhvatje dhe armëmbajtje pa leje.
Operacioni policor i koduar “Operacionalja 32” u zhvillua nga Forca e Posaçme Operacionale në bashkëpunim me Interpol Tirana dhe homologët italianë. Aktualisht, vijojnë procedurat për ekstradimin e tij në Itali.
Njoftimi i policisë:
Policia e Shtetit/ Finalizohet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, operacioni policor i koduar “Operacionalja 32”.
I dënuar në Itali, për kanosje, zhvatje dhe armëmbajtje pa leje, lokalizohet në Tiranë dhe vihet në pranga 45-vjeçari.
Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë me partnerët italianë, me objektiv nxjerrjen përpara drejtësisë, të shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht, për vepra penale të ndryshme, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh finalizuan operacionin policor të koduar “Operacionalja 32”.
Gjatë operacionit, u lokalizua në Tiranë dhe u arrestua provizorisht, me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasi Daniel Korali, 45 vjeç, i lindur në Tiranë.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, sepse Gjykata e Mesinas, Itali, e ka dënuar në vitin 2024, me 4 vjet e 3 muaj burgim, për kanosje, zhvatje dhe posedim të kundërligjshëm të armëve të ftohta.
Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e shtetasit Daniel Korali, në Itali.