Vendosni fjalën kyçe....

Berisha paralajmëron protestë: Pensionistët, fermerët, bizneset e vogla do të ngrenë zërin e tyre


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kritikuar kryeministrin Edi Rama për menaxhimin e buxhetit të shtetit dhe politikën e tij ndaj sektorëve kyç, veçanërisht bujqësisë.

Gjatë një deklarate për mediat, Berisha akuzoi Ramën për “keqqeverisje” dhe për faktin se fondet publike po alokohen në sektorët ku, sipas tij, abuzimet janë më të mëdha.

Berisha paralajmëroi se miratimi i buxhetit të vitit 2025 do të shoqërohet me protesta të fuqishme rreth Kuvendit, ku do të kërkohet mbrojtja e interesave të qytetarëve, fermerëve, pensionistëve, dhe bizneseve të vogla. Ai e cilësoi buxhetin si një “plaçkitje të madhe”, duke akuzuar qeverinë për shpërndarje të padrejtë të fondeve.

Berisha theksoi gjithashtu krijimin e një agjencie të re për orientimin e tregut të fermerëve, një hap që ai e cilësoi si një “zotim jashtëzakonisht të rëndësishëm” për zhvillimin e këtij sektori kyç për ekonominë shqiptare. Ai nënvizoi se mbështetja për teknologjitë e reja dhe dixhitalizimin janë prioritete të rëndësishme për PD, të cilat do të mundësojnë lehtësimin e punës së fermerëve dhe do të rrisin rendimentet e prodhimit.

Një tjetër pikë e rëndësishme e programit të PD është rritja e sigurisë ushqimore dhe mbrojtja e qytetarëve nga produktet ushqimore që mund të jenë të skaduara, duke përfshirë atyre që janë ruajtur në magazinat e botës. Berisha e konsideroi këtë një objektiv kryesor të programit të PD për të siguruar që qytetarët shqiptarë të konsumojnë produkte të shëndetshme dhe të sigurta.

“Sigurisht, miratimi i këtij buxheti do të shoqërohet me protestë të fuqishme rreth parlamentit, ku qytetarët, pensionistët, fermerët, të papunët, bizneset e vogla, të gjithë ata që dëshirojnë të thonë zërin e tyre në ditën e plaçkitjes më të madhe të vitit, plaçkitjes së buxhetit në parlamentin e krimit…Shtylla numër një e programit të PD do jetë ekonomia e qytetarit. 3.5 përqind e buxhetit do shkojnë për subvencione në bujqësi…Unë jam këtu për të garantuar fermerët shqiptarë se nuk do ketë buxhet kurrë që t’u alokojë atyre një të dyqindtën e tij, por dhjetëra, dhjetëra herë më shumë.
3.5 përqind e buxhetit të shtetit do parashikohen subvencione për bujqësinë.

Mbështetje të drejtpërdrejtë për të gjitha sipërmarrjet që operojnë në bujqësi, blegtori, peshkim, akuakulturë, agroindustri mbi bazën e sipërfaqes së mbjellë, prodhimit të dorëzuar dhe numrit të krerëve. Çdo fermer që aplikon për mbështetje në fushat prioritare do përfitojë mbështetje pa kufizim.

Do subvencionohen me 80 përqind normat e interesit të kredive bankare për bujqësi dhe blegtori. Do subvencionohen në masën 75 përqind norma e të gjithë siguracioneve në fshatin shqiptar dhe bujqësinë shqiptare. Do investohet çdo vit jo më pak se 70 milionë euro në sistemin e vaditjes dhe kullimit në mënyrë që të dyfishohet aftësia kulluese e vendit.

Do hiqet që javën e parë taksa armiqësore ndaj fermerëve, TVSH-ja armiqësore 0 në blerje dhe 20 përqind në shitje. Do jetë e barabartë në blerje dhe shitje.

Krijimi i agjencisë për fermerët për orientimin e tregut është një zotim jashtëzakonisht i rëndësishëm për zhvillimin e këtij sektori. Mbështetja për teknologjitë e reja mbetet një prioritet i madh për PD, veçanërisht dixhitalizimi do jetë synim që të lehtësojë sa më shumë punën e fermerëve dhe të rrisin rendimentet.

Rritja e sigurisë ushqimore, mbrojtja e qytetarëve shqiptarë nga mbeturinat që mbeten në prag skadimi në magazinat e botës, do jetë qëllim kryesor i yni. Ne kemi qenë dhe mbetemi të bindur se pa zhvillim rural nuk ka Shqipëri të zhvilluar.

Do bëjmë gjithçka me moton që fshatrat që kenë infrastrukturën e qyteteve, dhe për këtë zotohemi që në katërvjeçarin e parë. Këto janë disa nga pikat kryesore të programit tonë për fermerët dhe bujqësinë.

Edhe njëherë shpall, shtylla numër një e programit të PD do jetë ekonomia e qytetarëve. Ekonomia e qytetarëve. Ekonomia e qytetarëve. Begatimi i tyre, përmirësimi i tyre ekonomik”, u shpreh ai.