Vendosni fjalën kyçe....

Xhixho: Harta e re gjyqësore ka dështuar, 111 mijë dosje nuk janë shqyrtuar


Zëvendës presidentja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho me anë të një deklarate për mediat deklaroi se harta e re gjyqësore ka dështuar në mënyrë spektakolare.

Xhixho theksoi se 111 mijë dosje nuk janë shqyrtuar fare, duke shtuar se pasojat për këtë gjendje të sistemit të drejtësisë bien mbi qytetarët e Republikës.

Deklarata e Zëvendës Presidentes së Partisë së Lirisë, zonja Erisa Xhixho

Përshëndetje

Të nderuar qytetarë!

Sot gjyqësori në vend nuk ofron dot shërbimin e drejtësisë për 90% të qytetarëve. Është njëkohësisht alarmante dhe dëshpëruese, që disa vite pas reformimit të sistemit të drejtësisë, nuk kemi arritur ende t’i japim vendit një sistem funksional, dhe që i shërben qytetarit.

Harta e re gjyqësore ka dështuar në mënyrë spektakolare, duke mos arritur të zgjidhë problemin për të cilin u ideua. Nevoja e qytetarëve për të marrë drejtësi, brenda afateve të arsyeshme, nuk është përmbushur, madje vonesat e krijuara, janë më të mëdhatë të regjistruara ndonjëherë në historinë e shtetit shqiptar.

Sot, 78% e çështjeve gjyqësore janë përtej afatit të procesit të rregullt ligjor, ndërsa për të shqyrtuar një dosje, duhet katërfishi i kohës që kërkohej para implementimit të kësaj reforme.

Aktualisht, janë rreth 111 mijë dosje që nuk janë shqyrtuar fare. Gjykatat kanë mbetur ende në çështjet e vitit 2016.

Në gjykatat e shkallës së parë, një qytetari i duhen të paktën 2 vite për të marrë drejtësi. Në Apelin e juridiksionit të zakonshëm i duhen 5-7 vite për të marrë drejtësi, ndërsa në Gjykatën e Lartë duhen 8-9 vite. Pra,minimumi rreth 12 vite për një proces që kalon në të tre shkallët e gjyqësorit.