Vendosni fjalën kyçe....

Dumani hedh poshtë akuzat e Ilir Metës: Nuk e kam takuar kurrë McGonigal


Kreu i SPAK-ut Altin Dumani ka reaguar në lidhje me akuzat e djeshme të ish-presidenti Ilir Meta, se ai ka takuar ish zyrtarin e FBI-së  McGonigal.

Dumani shprehet në një reagim për Report Tv, se nuk e ka takuar kurrë McGonigal dhe se kjo është vazhda e akuzave të pabaza që bëhen drejt tij.

“Unë nuk e kam takuar kurrë McGonigal. Gjithçka është thënë në media, është në vazhdën e akuzave të vazhdueshme, te pabaza që bëhen për institucion që unë drejtoj. Nuk ka pasur asnjë arsye për të takuar McGonigal, as nuk e kam njohur kurrë dhe emrin ia kam dëgjuar pas publikimeve ne mediat shqiptare.” tha Dumani.

I ftuar dje në emisionin “Opinion” kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, në një intervistë televizive tha se Kreu i Prokurorisë Speciale Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit Altin Dumani, është mbrojtës i pandëshkueshmërisë së Kryeministrit Edi Rama dhe se nisi hetimet ndaj tij pas takimit me Mc Gonigal.

“SPAK-u ka nis hetim në dhjetor 2019, sipas të dhënave të mia edhe pas takimeve të Dumanit me McGonigalin. Dhe pse ka nisur në dhjetor 2019 për një çështje të mbyllur? Sepse ishte koha që Ilir Meta nuk lejonte të pushtohej Gjykata Kushtetuese nga banda e Edi Ramës”, tha Meta.