Vendosni fjalën kyçe....

Demokratët të shqetësuar se Netanyahu mund të ketë minuar imazhin e Biden-it mes votuesve


Kur lufta Izrael-Hamas shpërtheu gjashtë muaj më parë, ajo përfaqësonte llojin e krizës globale që Presidenti Joe Biden u tha votuesve se ishte i pajisur në mënyrë unike për t’u përballur.

Por ndërsa SHBA-të po përpiqeshin të parandalonin që lufta të shndërrohej në një katastrofë humanitare, disa nga këshilltarët dhe aleatët e ngushtë të Biden filluan të shqetësoheshin se në vend që të forconin imazhin e tij si një udhëheqës global me përvojë, mbështetja e palëkundur e presidentit për ofensivën e Izraelit rrezikonte të ndërlikonte më tej argumentin e tij se zgjedhjet janë një zgjedhje midis qartësisë së tij morale kompetente dhe kaosit të ish-presidentit Donald Trump.

Këto shqetësime janë bërë jehonë në një seri intervistash dhe deklaratash nga senatorë të shquar demokratë dhe të tjerë, përfshirë Tim Kaine dhe Bernie Sanders, ditët e fundit.

Dhe ato kanë qenë një rrymë e padeklaruar ndaj vendimit të Shtëpisë së Bardhë këtë javë të kaluar për të lëshuar një kërcënim të ashpër ndaj liderit izraelit Benjamin Netanyahu se mbështetja e SHBA-së mund të zhduket nëse nuk ka ndryshime të mëdha pas një sulmi që vrau shtatë punonjës ndërkombëtarë të një organizate humanitare.

Ky paralajmërim ishte një ndryshim i menjëhershëm në sjellje i nxitur nga muaj të tëra zhgënjimi me kundërshtimin rutinë të Netanyahut ndaj këshillave të administratës, si dhe nga zemërimi personal i Bidenit mbi numrin në rritje të vdekjeve që tani përfshin një amerikan.

Ishte gjithashtu një sinjal se ekipi i presidentit ka filluar të shohë probleme dytësore politike të brendshme që lindin nga konflikti që tani kërcënon të derdhet përtej një pjese të bazës demokratike.

“Kjo ka minuar një nga asetet e tij më të rëndësishme kundër Trump,” tha Matt Duss, një ish-këshilltar i lartë për politikën e jashtme të Sanders tani në Qendrën për Politikën Ndërkombëtare, për trajtimin e luftës nga Biden deri këtë javë.

“Reputacioni i Biden ishte – pajtohem ose nuk pajtohem me të – ai është një burrë i mirë, është një burrë empatik, ai është një burrë i ndershëm. Por kjo politikë ka qenë një politikë mizore.”

Konflikti Izrael-Hamas nuk është kriza e parë komplekse në Lindjen e Mesme që sfidon aftësitë politike dhe diplomatike të Biden. Shtëpia e Bardhë u përball me kritika në rritje në vitin 2021 për tërheqjen e saj nga Afganistani, me Bidenin që u përball me pyetje mbi planifikimin, si dhe nëse ai po përmbushte zotimin e tij për të qenë një forcë për stabilitetin global. Kjo gjë ndikoi në mbështetjen ndaj tij në sondazhe dhe ajo nuk është rikuperuar kurrë plotësisht.

Paralelet nuk janë të sakta, jo vetëm sepse trupat amerikane nuk janë të përfshira në luftën në Gaza. Por gati tre vjet më vonë, demokratët frikësohen edhe një herë se presidenti po pengohet nga trajtimi i tij i një konflikti jashtë shtetit.

“Unë përshëndes Presidentin Biden që i kërkoi me sukses kryeministrit Netanyahu të hapte një tjetër pikë kufitare nga Izraeli për të lejuar dërgimin e fuqishëm të ndihmave humanitare,” tha Kaine, një zë kryesor demokrat në politikën e jashtme.

“Por kjo ishte një zgjidhje e qartë që duhet të kishte ndodhur muaj më parë.”

“Qasja e taishme e Bidenit nuk po funksionon.”, shtoi Kaine.

Biden u rreshtua ngushtë me Netanyahun pas sulmit të Hamasit të 7 tetorit, pavarësisht rezervave të thella për liderin e krahut të djathtë, duke llogaritur se kjo i dha administratës së tij mundësinë më të mirë për të ndikuar në kundërsulmin e Izraelit dhe për të parandaluar një luftë më të gjerë në rajon.

Shtëpia e Bardhë është bërë dalëngadalë më kritike ndaj Netanyahut në muajt e kaluar, megjithëse këmbëngul se mbështetja e Izraelit mbetet qasja e duhur. Ajo gjithashtu pohon se është e vetmja rrugë për të arritur qëllimet kryesore të SHBA-së për rritjen e dërgesave të ndihmave në Gaza dhe sigurimin e një armëpushimi që kthen në shtëpi pengjet e mbetura të mbajtura nga Hamasi.

Ndihmësit argumentojnë se Biden e ka ndikuar Izraelin në disa fronte që nga fillimi i luftës, duke përfshirë bindjen e Netanyahut për të lejuar kalimet kufitare dhe rrjedhjen e ndihmave në Gaza, si dhe sigurimin e një armëpushimi të përkohshëm dhe lirimin e pengjeve në nëntor.

Por brenda disa orësh nga telefonata e ashpër e Bidenit me Netanyahun për sulmin me 7 viktimave të organizatës bamirëse ndërkombëtare, Izraeli u zotua të hapte rrugë të reja ndihme. Veprimi i shpejtë nxiti demokratët, të cilët kanë argumentuar prej kohësh se Shtëpia e Bardhë duhet të ketë një qasje më të mprehtë dhe se vazhdimi i qëndrimit mbështetës me mospërputhjen e kryeministrit izraelit rrezikon të dëmtojë qëllimet e Bidenit jashtë dhe brenda.

“Ajo që tregon ky shkëmbim është se kur presidenti përdor mjetet amerikane për të zbatuar kërkesat e tij, ai merr rezultate,” tha senatori Chris Van Hollen.

“Shtetet e Bashkuara do japin një përshtypje të keqe nëse nuk i përputhim fjalët me veprat.”

Në një deklaratë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Andrew Bates tha se “përvoja e rëndësishme, forca e qëndrueshme, marrëdhëniet dhe vlerat e Bidenit kanë qenë tejet të rëndësishme ndërsa ne menaxhojmë sfidat e vështira të politikës së jashtme në Lindjen e Mesme dhe në mbarë botën”.

“Udhëheqja e Presidentit Biden ka siguruar ndryshime të rëndësishme gjatë gjithë konfliktit dhe ka pakësuar paqëndrueshmërinë, që është e kundërta e rezultatit që do kishin arritur qasjet e tjera të sugjeruara nga kritikët në të djathtë,” tha Bates.

Mbrojtësit e Biden theksojnë gjithashtu se Trump u ka dhënë votuesve një pasqyrë në kohë reale se si do e trajtonte një krizë të tillë, duke kritikuar Netanyahun dhe duke e quajtur grupin militant Hezbollah “shumë të zgjuar” vetëm disa ditë pas sulmeve të 7 tetorit.

Ato episode, në krye të një rekordi të gjerë të mandatit të parë të vendimmarrjes së çrregullt të politikës së jashtme, u kanë dhënë votuesve një ndjenjë të qartë se cili kandidat është më i përgatitur për t’u përballur me kriza të ndërlikuara, argumentojnë ata.

Megjithatë, ekziston shqetësimi i vazhdueshëm në qarqet demokratike se pamjet e brendshme që dalin nga Gaza çdo ditë po nxisin entuziazmin mes votuesve të Biden. Më e dukshme, përkeqësimi i gjendjes humanitare ka zemëruar një pjesë të rëndësishme të bazës së Biden-it.

Votuesit e rinj, arabë,  myslimanë amerikanë dhe progresistë – të zemëruar nga paaftësia e SHBA-së për të ndaluar tmerret që po shpalosen në Gaza. Biden tani përballet me protesta pothuajse kudo që udhëton, si dhe shqetësimet se një Konventë Demokratike këtë verë do konsumohet nga zemërimi i votuesve në rrugë.

Ka gjithashtu të dhëna se amerikanët po ngurrojnë lidhur me trajtimin e konfliktit nga Biden më gjerësisht. Vetëm 47 përqind e demokratëve miratuan strategjinë e Bidenit për Lindjen e Mesme në mars, sipas një sondazhi të Gallup, nga 60 përqind në nëntorin e kaluar. Midis të pavarurve, vlerësimi i miratimit të presidentit në Lindjen e Mesme ishte 21 për qind.

Këto shenja paralajmëruese përshkuan rrethin e brendshëm të Biden në javët e fundit.

Një këshilltar i lartë, të cilit iu dha anonimiteti për të diskutuar bisedat konfidenciale, tha që përpara telefonatës konfrontuese të Biden me Netanyahun të enjten, se kishte shqetësime se vështirësia e Biden në kontrollin e homologut të tij izraelit mund të minonte pretendimin e tij për kompetencë të qëndrueshme në sytë e votuesve dhe të rriste vlerën e argumenteve të Trump për një projeksion të ashpër – edhe pse shumë më të çrregullt – në skenën botërore.

“Unë mendoj se ka një vetëdije të madhe se pozicioni i SHBA-së ka qenë i dëmshëm për pozitën e saj ndërkombëtarisht,” tha Ivo Daalder, kreu i Këshillit të Çikagos për Çështjet Globale. Daalder, i cili është i afërt me zyrtarë të lartë të administratës, shtoi se deri tani, Biden e ka parë mbështetjen e tij për Izraelin si një parim të rrënjosur thellë.

“Por fakti është se Bibi e ka provokuar aq shumë sa më në fund mund të ndryshojë.”

Trump, nga ana e tij, ka luftuar për të artikuluar një qëndrim ndaj Izraelit dhe as nuk ka ofruar ndonjë hollësi se si do ta trajtonte luftën.

Dikur një mbështetës i zëshëm i Netanyahut, ai kohët e fundit tha se Izraeli “po humbet luftën e PR-it” dhe duhet të përfundojë shpejt konfliktin – pa specifikuar se si dhe çfarë do të thotë kjo për pengjet izraelite që janë ende në Gaza.

Por demokratët dhe shumë ekspertë të politikës së jashtme argumentojnë se ka pak dyshim që Trump do ishte më lejues ndaj Netanyahut – me gjasë me koston e përkeqësimit të mëtejshëm të situatës humanitare në Gaza.

Dhëndri i Trump, Jared Kushner, i cili luajti një rol të jashtëzakonshëm në politikën e tij në Lindjen e Mesme kur ai ishte president, ka diskutuar hapur zhvendosjen e banorëve të Gazës dhe zgjerimin e tokës së tyre në prona më tërheqëse dhe më të vlefshme buzë detit.

Disa brenda administratës Biden kanë zbutur zhgënjimet e tyre me qasjen e presidentit, thanë zyrtarët aktualë dhe ish-zyrtarë, duke arsyetuar se stabiliteti afatgjatë në rajon mund të varet shumë nga aftësia e Biden për të fituar një mandat të dytë.

“Ajo që po ndodh në Gaza është e papërshkrueshme,” tha Sanders të enjten në podkastin e Pod Save America kur u pyet se çfarë do të thoshte kjo për votuesit që ngurrojnë të mbështesin Biden për shkak të luftës.

“Por gjithçka që unë kërkoj është të mos e përkeqësojmë edhe më shumë një gjendje të tmerrshme. Trump do jetë edhe më i keq në këtë drejtim, e lëre më për çdo çështje tjetër.”

Ky realitet politik, thonë aleatët e Biden, e bën edhe më të domosdoshme që ndryshimi i qëndrimit të Shtëpisë së Bardhë ndaj Netanyahut të bëhet një strumbullar i përhershëm.

SHBA ka ende mundësi konkrete për të frenuar Izraelin, nga lejimi dhe ndoshta edhe mbështetja e kalimit të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së deri te ndalimi ose zbatimi i kushteve për ndihmën ushtarake.

“Më ngacmon fakti se presidenti duket se e kupton se si duhet të ndryshojë qasjen e tij,” tha Duss. “Është e ngadaltë. Është shumë e ngadaltë. Por është në lëvizje.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Politico

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani