Vendosni fjalën kyçe....

Instalimi i impianteve për trajtimin e ujërave të ndotura, Balluku inspekton aksionin e Task Forces në terren


Ka nisur zbatimi në terren i aktit normativ që ka si qëllim trajtimin e ujërave të ndotura, përmes vendosjes së impianteve apo sistemit të grumbullimit, nga strukturat akomoduese të cilat operojnë në zonat bregdetare. Një aksion i cili synon përmirësimin e cilësisë së ujërave larës në vendin tonë.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me drejtorin e AKUK, Klevis Jahaj dhe kryebashkiakun e Lezhës, Pjerin Ndreu ishin në zonën e Kune Vain ku inspektuan një prej strukturave hoteliere, e cila tashmë ka vendosur impiantin e trajtimit të ujërave ndotës.

Drejtori AKUK sqaroi se subjekti në fjalë ka zëvendësuar gropën septike me impiantin e trajtimit të ujërave të ndotur, sipas standardeve të përcaktuara, dhe kapaciteteve të cilat ky hotel ofron. Jahja tha se nga ana e inspektorëve të Task Forcës është kryer edhe verifikimi i të gjithë procedurës.

Ministrja Belinda Balluku bëri të ditur se në fokus të këtij aksioni janë subjektet të cilat operojnë në zonën bregdetare, duke nisur nga Shkodra dhe deri në Sarandë, përfshirë edhe Pogradecin për shkak të strukturave që ndodhen pranë liqenit.

Balluku tha se para nisjes së aksionit janë zhvilluar takime të përbashkëta me përfaqësues të sektorit të hoteleri-turizmit dhe kryetarët e bashkive, ku është diskutuar dhe prezantuar gjerësisht ky proces.

“Është bërë një punë bindëse me të gjithë grupet e interesit pasi është në të mirën e tyre. Nga Agjencia Europiane e Mjedisit për Trajtimin e Ujërave Larës ne jemi konsideruar një vend me 67.5% ujëra të nivelit të “shkëlqyer”. Ndërkohë synimi i Qeverisë Shqiptare është që të arrijmë në 95% me një kriter të “shkëlqyer”, kështu që e gjithë kjo punë ka nisur para këtij sezoni dhe mendojmë që tashmë hotelierët janë të qartë se kjo nuk është një kërkesë e pabazuar. Kjo është një kërkesë e domosdoshme pasi me paratrajtimin e ujërave sigurisht brigjet ku janë vendosur këto njësi hotelerie do të qëndrojnë të pastra”, sqaroi Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë shtoi më tej se përmes këtyre proceseve synohet që të arrihet një nivel më i lartë i shërbimit, prej të cilët përfitojnë qytetarët, por edhe vetë subjektet.

Për kryebashkiakun Ndreu rast i hotelit të inspektuar, që sapo kishte instaluar impiantin e trajtimit të ujërave të ndotur është një shembull shumë i mirë, i cili vlen edhe për subjektet e tjera. Sipas tij bashkia e Lezhës i ka mbështetur dhe inkurajuar subjektet hoteliere në krijimin e kushteve sa më të mira për shërbim, në mënyrë që të sigurohet një sezon turistik veror sa më i suksesshëm.