Vendosni fjalën kyçe....

“Trump Media” u shpëtua në vitin 2022 nga ruso-amerikani nën hetim kriminal në SHBA


Kompania e mediave sociale e Trump u bë publike duke u mbështetur pjesërisht në kreditë nga trusti i menaxhuar nga persona nën lupën e prokurorëve

Kompania e mediave sociale e Donald Trump, ‘Trump Media’ arriti të shfaqej publikisht javën e kaluar vetëm pasi ishte mbajtur në këmbë në vitin 2022 nga kreditë emergjente të dhëna pjesërisht nga një biznesmen ruso-amerikan nën mbikëqyrjen e një hetimi federal për tregtimin e brendshëm dhe pastrimin e parave.

Ish-presidenti i SHBA-së do fitojë miliarda dollarë – aksionet e tij aktualisht vlerësohen në rreth 4 miliardë dollarë – nga bashkimi midis ‘Trump Media’ dhe ‘Technology Group’ dhe kompanisë së kontrollit ‘Digital World Acquisition Corporation’, e cila mori publikisht kompaninë mëmë ‘Truth Social’.

Por ‘Trump Media’ pothuajse nuk ia doli me bashkimin, pasi rregullatorët hapën një hetim të letrave me vlerë për bashkimin në vitin 2021 dhe bënë që kompania të digjte paratë me një normë të jashtëzakonshme, ndërsa priste të merrte dritën jeshile për debutimin e saj në bursë.

Gjendja bëri që ‘Trump Media’‘ të merrte kredi urgjente, duke përfshirë ato nga një ent i quajtur ‘ES Family Trust’, i cili hapi një llogari me ‘Paxum Bank’, një bankë e vogël e regjistruar në ishullin Dominika të Karaibeve, që është më i njohur për ofrimin e shërbimeve financiare për industrinë e pornografisë.

Përmes dokumenteve të zbuluara, The Guardian ka mësuar se ‘ES Family Trust’ operonte si një kompani guackë për një biznesmen ruso-amerikan të quajtur Anton Postolnikov, i cili është bashkëpronar i ‘Paxum Bank’ dhe ka qenë subjekt i një hetimi të përbashkët penal federal prej vitesh nga FBI dhe Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS) për bashkimin e ‘Trump Media’.

Ekzistenca e trustit është raportuar më parë nga The Guardian dhe Washington Post. Megjithatë, kush e kontrollonte llogarinë, se si trusti ishte i lidhur me ‘Paxum Bank’ dhe si ishin derdhur paratë përmes trustit në ‘Trump Media’, nuk dihej.

Hollësitë e reja në lidhje me trustin janë nxjerrë nga dokumentet, përfshirë: të dhënat e ‘Paxum Bank’ që tregojnë se Postolnikov ka qasje në llogarinë e trustit, dokumentet që krijuan trustin që tregonin si vendosësin e tij një avokat në Shën Petersburg, Rusi dhe tre vjet të transaksioneve financiare të trustit.

Shqetësimi rreth huave për ‘Trump Media’ është se ‘ES Family Trust’ mund të jetë përdorur për të përfunduar një transaksion që vetë ‘Paxum Bank’ nuk mundi ta bënte.

‘Paxum Bank’ nuk ofron kredi në SHBA, pasi i mungon licenca bankare amerikane dhe nuk rregullohet nga FDIC. Postolnikov duket se e ka përdorur trustin për të huazuar para për të ndihmuar në shpëtimin e ‘Trump Media’ – dhe platformën ‘Truth Social’ – sepse vetë banka e tij nuk mund të jepte kredinë.

Postolnikov, nipi i Aleksandr Smirnov, një aleat i presidentit rus, Vladimir Putin, nuk është akuzuar për ndonjë krim. Në përgjigje të një emaili drejtuar Postolnikov që kërkon koment, një avokat në Dominika që përfaqëson ‘Paxum Bank’ paralajmëroi për veprime ligjore për raportimin e përmbajtjes së dokumenteve të zbuluara.

Gjithashtu nuk ka asnjë tregues se Trump ose ‘Trump Media’ kishin ndonjë ide për natyrën e huave përtej asaj se ato ishin të errëta, dhe as kompania apo drejtuesit e saj nuk janë akuzuar për keqbërje. Një zëdhënës i ‘Trump Media’ nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Pas publikimit të kësaj historie, një avokat që përfaqëson ‘Trump Media’ tha në një deklaratë: ‘The Guardian vijon të propagandojë narrativën e saj të rreme se TMTG ka këto lidhje të rreme me Rusinë. Është një mashtrim. Në këtë pikë do nisë procesi gjyqësor dhe ne kemi besim se The Guardian përfundimisht do mbahet përgjegjës për shpifje dhe kjo histori duhet të tërhiqet.’

Por Postolnikov ka qenë nën vëzhgim në rritje në hetimin penal për bashkimin e ‘Trump Media’. Kohët e fundit, ai është renditur në disa urdhërkërkime së bashku me disa bashkëpunëtorë, njëri prej të cilëve u padit muajin e kaluar për pastrim parash në krye të akuzave të mëparshme për tregti të brendshme.

Anton Postolnikov

Postolnikov dhe trusti

Në fund të vitit 2021, ‘Trump Media’ po përballej me probleme financiare pasi bashkimi i planifikuar me ‘Digital World’ u vonua për një kohë të pacaktuar kur Komisioni i Letrave me Vlerë hapi një hetim për bashkimin, tregoi në një intervistë Will Wilkerson, ish-bashkëthemeluesi më pas i përjashtuar.

Pjesë e problemit ishte se ‘Trump Media’ luftoi për të gjetur financim sepse bankat tradicionale ngurronin t’i jepnin miliona dollarë hua kompanisë së mediave sociale të Trump në vazhdën e sulmit të Kapitolit të 6 janarit, tha Wilkerson.

‘Trump Media’ përfundimisht gjeti disa huadhënës, duke përfshirë ‘ES Family Trust’, por sekuenca e ngjarjeve ishte e çuditshme.

‘ES Family Trust’ u krijua më 18 maj 2021, tregojnë dokumentet e krijimit. Qasja e ‘përdoruesit’ e Postolnikov në llogari u ‘verifikua’ më 30 nëntor 2021 nga një menaxher i ‘Paxum Bank’ në Dominika. Trusti u financua për herë të parë më 2 dhjetor 2021.

‘Trump Media’ më pas mori kreditë nga ‘ES Family Trust’: 2 milion dollarë më 23 dhjetor 2021 dhe 6 milion dollarë më 17 shkurt 2022.

Kreditë erdhën në formën e kambialeve të konvertueshme, që do të thotë se ‘ES Family Trust’ do fitonte një aksion të madh në ‘Trump Media’ sepse po ofronte paratë në këmbim të ‘Trump Media’, që pranonte të konvertonte principalin e kredisë në ‘aksione të stokut të kompanisë’.

Çuditërisht, shënimet nuk u nënshkruan kurrë. Por investimi në ‘Trump Media’ rezultoi të jetë i madh: ndërsa shifra të sakta mund të dihen vetëm nga ‘Trump Media’, aksionet e ‘ES Family Trust’ në ‘Trump Media’ kapin vlerën midis 20 dhe 40 milion dollarë edhe pas rënies së mprehtë të çmimit të aksioneve të kompanisë në vijim të një raporti të dobët të të ardhurave.

Nga llogaria e ‘ES Family Trust’ gjithashtu duket se ka përfituar personalisht Postolnikov. Ndërsa hetimi penal për marrëveshjen ‘Trump Media’ u intensifikua në fund të vitit të kaluar, trusti regjistroi disa transferime te Postolnikov me temën ‘Kthimi i pjesshëm i kredisë’.

Në total, dokumentet treguan se trusti transferoi 4.8 milion dollarë në llogarinë e Postolnikov, megjithëse 3 milionë dollarë u ‘ndryshuan’ në mënyrë të pashpjegueshme.

(Më 17 korrik 2023, Postolnikov mori 300,000 dollarë. Më 17 tetor 2023, Postolnikov mori 1.5 milion dollarë, përpara se të kthehej të nesërmen; më vonë të njëjtën ditë, Postolnikov mori përsëri 1.5 milion dollarë, shumë që gjithashtu u kthye. Më 19 tetor 2023, Postolnikov mori 1.5 milion dollarë për herë të tretë dhe të fundit.)

Arsyeja e krijimit të trustit mbetet e panjohur. Përveç parave që shkuan në ‘Trump Media’, deklaratat e trustit tregojnë se trusti ka investuar drejtpërdrejt para vetëm me dy kompani të tjera: 10.8 milionë dollarë për ‘Eleven Ventures LLC’, një firmë kapitali sipërmarrës, dhe 1 milion dollarë për ‘Ëedbush Securities’, një firmë e menaxhimit të pasurisë.

Statusi i tanishëm i ‘ES Family Trust’ është gjithashtu i panjohur. Adresa e trustit është renditur si një shtëpi banimi në Hollyëood, Florida. Por, sipas faqes së internetit të pronave ‘Redfin’, shtëpia me gjashtë dhoma gjumi duket se është shitur në dhjetor 2023.

Dokumentet e krijimit përmbanin gjithashtu diçka të dukshme: një deklaratë se, nëse administruesi fillestar – një punonjës i ‘Paxum’ i quajtur Angel Pacheco – largohej nga roli, pasuesi i tij do ishte një individ i caktuar i quajtur Michael Shvartsman.

Hetim i gjerë i pastrimit të parave

Muajin e kaluar, prokurorët federalë akuzuan Michael Shvartsman, një bashkëpunëtor i ngushtë i Postolnikov, për pastrim parash në një aktakuzë zëvendësuese, pasi e kishin akuzuar më parë atë dhe dy të tjerë në korrik për tregtim të brendshëm të aksioneve të ‘Digital World’.

Shvartsman dhe të pandehurit e tij u deklaruan të pafajshëm.

Të paktën një pjesë e provave kundër Shvartsman erdhën nga një informator konfidencial për DHS-në, tregojnë dosjet gjyqësore: në një takim të marsit të vitit 2023 me informatorin dhe një bashkëpunëtor, Shvartsman përmendi një mik që zotëronte një bankë në Dominika dhe i jepte hua ‘Trump Media’.

‘Shvartsman deklaroi se një mik i tij zotëron një bankë në ishullin e Dominikës dhe do ishte në gjendje të ofronte shërbime bankare për shtetasit rusë dhe ukrainas nëse [informatori konfidencial] kishte klientë të tjerë që kanë nevojë për atë shërbim,’ tha raporti i DHS-së.

‘Bashkëpunësi i Shvartsman i tha informatorit konfidencial se ai nuk mendon se SEC do ishte në gjendje të ndjekë Shvartsman për pjesën e tij në investim, por përmendi se Shvartsman në thelb siguroi ‘financim urë’ për firmën pas medias ‘Truth Social’, thuhet më tej.

Pjesët e paredaktuara të raportit të DHS-së nuk specifikojnë nëse ‘miku’ ishte Postolnikov dhe kujt i referohej ‘financim urë’ – por raporti la të hapur mundësinë që edhe Shvartsman të kishte një rol me trustin.

Një avokat i Shvartsman refuzoi të komentojë mbi marrëdhënien e klientit të tij me Postolnikov. Një zëdhënës i zyrës së prokurorit amerikan për distriktin jugor të Nju Jorkut gjithashtu nuk pranoi të komentonte.

Është e paqartë nëse prokurorët federalë janë në dijeni se ‘Trump Media’ u mbështet nga Postolnikov përmes ‘ES Family Trust’. Në të njëjtën kohë, hetimi i pastrimit të parave në lidhje me bashkimin e ‘Trump Media’ dhe shqyrtimin e Postolnikov duket se është rritur në muajt e fundit.

Hetimi për pastrimin e mundshëm të parave duket se ka filluar pasi avokatët e Wilkerson, Phil Brewster, Stephen Bell dhe Patrick Mincey njoftuan zyrën e prokurorit amerikan në distriktin jugor të Nju Jorkut për kreditë e ‘ES Family Trust’ në tetor 2022.

Muaj më vonë, në qershor 2023, FBI zgjeroi hetimin e saj për të punuar së bashku me grupin punues ‘El Dorado’ të Departamentit të Sigurisë Kombëtare, i cili është e specializuar në pastrimin e parave dhe grupin e saj për të ardhurat e paligjshme dhe korrupsionin e huaj, i cili synon zyrtarë të huaj të korruptuar që përdorin entitete amerikane për pastrimin e fondeve të paligjshme.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e The Guardian

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani