Vendosni fjalën kyçe....

Beleri e Goro në burg, tensione në Këshillin Bashkiak të Himarës, banorët thirrje kundër Vangjel Tavos, njëri e pështyn (Video)


 

 

 

Këshilli bashkiak i Himarës u mblodh sot për të vendosur me votë se cili prej dy nënkryetarëve, Pervin Gjikuria apo Blerina Bala do të drejtojë bashkinë Himarë deri në zgjedhjet e reja. Por kjo po shoqërohet me tensione nga banorët  të cilët kanë hyrë brenda në godinë dhe në greqisht e shqip kërkojnë të largohet prefekti i Vlorë Vangjel Tavo.

Ndërsa në tryezë ndodhen këshilltarët bashkiakë, policia bashkiake ndalon banorët t’i afrohen. Këta të fundit me zë të lartë kërkonin largimin e Tavos.

Pas dorëheqjes së Jorgo Goros nga posti kryebashkiakut në detyrë të Himarës, vendi ka mbetur vakant dhe pa drejtues. Përpos Jorgo Goros, në burg ndodhet edhe Fredi Beleri, kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, i dënuar me 2 vite burg pasi u kap duke blerë votat para zgjedhjeve vendore të 14 majit.

Këshilli i Bashkisë së Himarës përbëhet nga 21 anëtarë, 9 nga PS, 7 PD ndërsa 5 anëtarë të tjerë nga parti të vogla.

“Me përfundimin para kohe të mandatit të kryetarit të bashkisë, sipas këtij neni, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, funksionet e tij i kryen  Zv. kryetari i bashkisë. Në rastet kur ka më shumë se një zëvendëskryetar bashkie, këshilli përkatës, me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij, cakton një nga zëvendëskryetarët të kryejë funksionet e kryetarit deri në zgjedhjen e kryetarit të ri”.- thuhet në Neni 61, pika 5.

Socialistët kanë shumicën në këshillin bashkiak të Himarës, dhe burime për Report Tv bëjnë me dije se Blerina Bala është pretendentja kryesore për të drejtuar bashkinë deri në zgjidhjen përfundimtare të ngërçit. Për të shkuar drejt zgjedhjeve të parakohshme në Himarë, do duhet që Apeli i Posaçëm të japë një vendim përfundimtar për Fredi Belerin.

Ndërkohë, Jorgo Goro u arrestua më datë 23 mars. Ai akuzohet për tjetërsim pronash, rreth 10 mijë hektarë.

Ndërkohë me thirrje në gjuhën greke, banorët përzunë nga mbledhja prefektin e Vlorës Vangjel Tavon, ndërsa njëri prej tyre e pështyu në fytyrë. Siç shihet edhe nga pamjet një nga banorët me kapele në kokë pështyn në fytyrë prefektin, i cili e ruajti qetësinë.