Vendosni fjalën kyçe....

Ndryshimet ligjore, APP: Entet me më pak se 15 punonjës, vetëm tendera me vlerë të vogël 


Agjencia e Prokurimit Publik u ka rikujtuar enteve publike se ndryshimet në ligjin e prokurimeve hyjnë në fuqi këtë të mërkurë (20 mars).

Lidhur me këtë APP ka saktësuar disa pika ku ndër të tjera atë për entet që mund të kryejnë të vetëm procedurat apo ata që duhet t’u drejtohen enteve sipër tyre kur ato nuk hyjnë te vlera e vogël.

“Një ndër ndryshimet është edhe parashikimi në pikën 5/1 të nenit 21 të tij ku përcaktohet se: çdo ent sipas përcaktimit të pikës 1 të nenit 4 të këtij ligji që në strukturën e tij organizative ka më pak se 15 punonjës do të veprojë si autoritet ose ent kontraktor vetëm për kryerjen e prokurimeve me vlerë të vogël.

Për objektet, vlera e përllogaritur e të cilave tejkalon kufirin e prokurimeve me vlerë të vogël autoriteti ose enti kontraktor duhet t’i drejtohet organit epror në rast se ka një të tillë ky i fundit vendos për zhvillimin e procedurës nga ai vetë sipas parashikimeve ligjore dhe nënligjore në fuqi. Në rast se nuk ka një organ epror, autoriteti kontraktor ose enti kontraktor i drejtohet organit qendror blerës” thuhet në shkresë.

Sipas kuadrit ligjor prokurime në vlerë të vogël quhen ato procedura vlera e përllogaritur e të cilave, brenda një viti kalendarik, është nga 100 000 (njëqind mijë) lekë deri në 800 000 (tetëqind mijë) lekë.

Sipas APP, ky parashikim i bërë në ligjin e ri ka për qëllim t’u vijë në ndihmë atyre institucioneve që kanë në strukturë organizative një numër të vogël punonjësish dhe nuk kanë mundësi të ngrenë strukturat e nevojshme për zhvillimin e procedurave të prokurimit.

Për këtë qëllim, me atë në këtij njoftimi, APP sjell në vëmendjen e autoriteteve/enteve kontraktore, të cilat kanë në strukturë e tyre organike një numër prej më pak se 15 punonjësish  do të veprojnë si ent/autoritet konktraktor vetëm për kryerjen e procedurave të prokurimit me vlerë të vogël.

I njëjti njoftim nënvizon se autoritetet që krijojnë elementin e regjistrit të parashikimit të procedurave të prokurimit duhet të deklarojnë tek fusha “justifikimi për regjistrimin” numrin e punonjësve në strukturën organike të autoritetit.

VINI RE: Ky material është pronësi intektuale e Monitor