Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohen kreu i ARRSH-së Evis Berberi e dy biznesmenë


Majtas Evis Berberi, djathtas Valter Begaj

Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar Evis Berberi është arrestuar me kërkesë të SPAK.

Ai akuzohet për korrupsion pasiv e pastrim parash. Përveç tij, janë arrestuar edhe biznesmenët Valter Begaj e Ervis Lame.

Sipas SPAK Evis Berberi gjatë kohës që ka qenë në krye të Agjencisë për Efiçencën e Energjisë dhe në krye të Autoriteti Rrugor Shqiptar ka dhënë 6 tendera kompanisë që ai ka pasur në zotërim indirekt duke përfituar një shumë gati 2.3 milionë euro

Ervis Lame rezulton të jetë administrator i kompanisë DAAM, që merret me supervizim punimesh dhe është në pronë të Valter Begajt. Më parë ka qenë në pronësi të Evis Berberit.

Sipas SPAK bëhet fjalë për shitje fiktive të kompanisë, paara se të emërohej si drejtor i Agjencisë së Eficiencës së Energjisë e më pas drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Dy javë më parë SPAK ka nisur një hetim ndaj Berberit, lidhur me shitjen e një kompanie në vitin 2018.

Agjentët e BKH-së e SPAK-ut kanë ushtruar kontrolle në banesën e zyrën e Berberit ku kanë sekuestruar materiale të ndryshme si shuma parash, sende me vlerë, celularë, laptopë e dokumente.

Berberi u emërua në krye të ARRSH-së në qershor 2021.

Çfarë ka ndodhur

Në 7 shtator 2028, Evis Berberi, drejtor i ARRSH-së, i bleu Valter Begajt kompaninë ‘B-VAAL ENG-10’, me nipt L72205042F, për 100 mijë lekë. Kompania e themeluar në tetor 2017 kishte dhe ka si objekt studim, projektim, mbikëqyrje dhe kolaudim objektesh ndërtimore etj.

Pesë muaj më vonë, në 31 janar 2019, Evis Berberi ia shet kompaninë Brunilda Bulit, për 500 mijë euro. Në 2019 në një mbledhje ku ortake është dhe Brunilda Buli vendoset zgjerimi i shërbimit të kompanisë me ndërtim i impianteve eolike, impianteve fotovoltaike dhe impianteve hidrike per prodhimin e energjise elektrike, prodhimin e energjise termike nga burime te rinovueshme.

Këto lëvizje janë bërë teksa Berberi do të emërohej drejtor i Agjencisë së Eficiencës së Energjisë. Në 23 dhjetor 2021, Brunilda Buli ia shet sërish kompaninë shokut të Evis Berberit, ish ortakut Valter Begaj, tashmë për rreth 2 milionë euro.

Në 21 shkurt 2022, Valter Begajt ia shet kompaninë Ervis Lamit, për rreth 2 milionë euro.

Një muaj më vonë, Ervis Lame ia shet sërish kompaninë DAAM Valter Begajt me vlerë zero lekë.