Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi pas Konferencës së Kryetarëve: PS-ja reflektoi pas 5 muajsh


Nënkryetari i PD Gazment Bardhi, në fjalën e tij për mediat ka bërë të ditura detaje në lidhje me atë që u vendos në Konferencën e Kryetarëve. Ai u shpreh se është lajm i mirë që pas muajve rezistencë të deputetëve të opozitës, mazhoranca ka reflektuar.

Sipas tij, çdo ligj që kërkon 3/5 pa përjashtuar ligjin për “Zgjedhoren”, të diskutohet në një nënkomision me partneritet të plotë të grupeve të PD dhe PS.

“Maxhoranca ka reflektuar pas 5 muajsh. U refuzua kërkesa e opozitës për ndryshimin e kryetarit të Komisionit të Reformës Zgjedhore. Kemi rënë dakord në parim për ngritjen e Komisionit Hetimor për kontratat koncesionare korruptive në sektorin e shëndetësisë dhe për ngritjen e Komisionit Hetimor për ndërhyrjen në të dhënat personale në sistemin TIMS. Opozita ka pasur gjithmonë gatishmërinë për normalitet në parlament. Nënkomisioni do t’i duhet t’i japë Shqipërisë ligje, që janë në interes të shqiptarëve. Ne do të zbatojmë vetëm Kushtetutën”, deklaroi Bardhi.

Ndërkohë kreu i Grupit Parlamentar të PS Blendi Çuçi u shpreh në një deklaratë për mediat pas përfundimit të mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve. Çuçi deklaroi se fakti që opozita u ul në Konferencën e Kryetarëve është një lajm i mirë.

Ai u shpreh se Reforma Zgjedhore ka një komision që funksionon, ndërkohë po punohet me ekspertët e ODIHR për të adresuar çështje të rëndësishme të kodit, të cilat më pas do të trajtohen.

“Është lajm pozitiv që më në fund opozita u ul në Konferencën e Kryetarëve. Sot u duk sikur rivendosëm dialogun dhe bashkëbisedimin aty ku e lamë në tetor 2023. Sot vendosëm në Konferencën e Kryetarëve, që të rregullohen objektet për dy komisionet hetimore, që ata i propozuan vetë se cilët janë. Ishte frymë e mirë për vazhdimin e një jetë normale parlamentare në vend. Unë besoj se ata janë të bindur se aksioni i tyre nuk i çon askund. Nuk ka asgjë për Reformën Zgjedhore. Zgjedhorja ka një Komision që funksionon. Komisioni Bipartizan po punon për të vendosur më të mirën për Reformën Zgjedhore”, deklaroi Çuçi.