Vendosni fjalën kyçe....

“Sjelltë ky muaj ndriçim të brendshëm” – Rama e Begaj urojnë nisjen e Ramazanit


Kryeministri Rama e Presidenti Begaj kanë uruar besimtarët myslimanë shqiptarë për nisjen nesër të muajit të Ramazanit.

Kreu i qeverisë shkruan se ky muaj është kohë reflektimi, dhembshurie dhe rritjeje shpirtërore për besimtarët myslimanë.

“Një kohë reflektimi, dhembshurie e rritjeje shpirtërore nis sonte për besimtarët muslimanë. Sjelltë ky muaj i tyre i shenjtë afrim në besim dhe ndriçim të brendshëm në rrugën e tyre dhe të të gjithëve bashkë, me paqe dhe bekime. Ushqeftë kjo ngjarje vjetore shpirtin e unitetit dhe përkushtimit ndaj tjetrit, pa dallim e përjashtim, duke pastruar e pasuruar mendjet e zemrat e këtij vendi që sot ka nevojë të rritet dhe ngjitet lart në krahët e të gjithëve Ramazan të paqtë e bujar.” – shkruan Rama.

Presidenti Begaj uron që durimi, reflektimi e iftaret në familje e kudo ta bëjnë shoqërinë shqiptare më të devotshme.

“Nesër besimtarët myslimanë shqiptarë, nisin muajin e tyre të madhnueshëm të Ramazanit. Uroj që durimi, reflektimi, pastrimi shpirtëror dhe iftaret në familje, komunitet apo me të pamundurit, ta bëjnë shoqërinë shqiptare më të devotshme, të udhëhequr nga e drejta, urtësia dhe mirësia. Agjërim të lehtë e të pranuar për të gjithë! Paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!” – shkruan Begaj.