Vendosni fjalën kyçe....

Duhet të jemi “më të guximshëm” në sekuestrimin e aseteve ruse – Sunak


Mbështetësit perëndimorë të Ukrainës duhet të shtojnë përpjekjet për të bllokuar pasuritë ruse të ngrira jashtë vendit në mënyrë që të ndihmojnë Kievin, ka thënë kryeministri britanik Rishi Sunak.

Në një shkrim për Sunday Times në dyvjetorin e fillimit të luftës në Ukrainë, Sunak paralajmëroi se Rusia “vijon të përbëjë kërcënimin më të madh për sigurinë globale”.

“Ne duhet të jemi më të guximshëm në goditjen e ekonomisë ruse të luftës. Sanksionet tona kolektive e kanë privuar Rusinë nga 400 miliardë dollarë në përpjekjet e saj luftarake, të mjaftueshme për të financuar pushtimin për katër vjet të tjerë…Dhe ne duhet të jemi më të guximshëm në sekuestrimin e qindra miliarda pasurive të ngrira ruse”, tha kryeministri.

Perëndimi ka ngrirë afërsisht 300 miliardë dollarë në pasuri që i përkasin bankës qendrore ruse që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja kanë kërkuar kohët e fundit bllokimin e plotë të këtyre fondeve për të financuar qeverinë në Kiev, ndërsa BE-ja ka qenë më e kujdesshme, duke zgjedhur në vend të kësaj një plan për të kapur interesat e fituara nga fondet e mbajtura në zyrën e kleringut ‘Euroclear’.

Shumë vende evropiane kanë paralajmëruar se një bllokim i drejtpërdrejtë i fondeve do ndikonte keq në sistemin financiar perëndimor dhe do gërryente besimin në euroja.

BE-ja ka ngrirë rreth 196.6 miliardë euro rezerva të bankës qendrore ruse dhe ka prodhuar rreth 4.4 miliardë euro të ardhura nga këto fonde. Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen njoftoi në fillim të kësaj jave se kuadri ligjor për bllokimin e këtyre të ardhurave është pothuajse gati.