Vendosni fjalën kyçe....

Blinken pas takimit me Dumanin dhe krerët e drejtësisë: Reforma në drejtësi është thelbësore për Shqipërinë 


Në vizitën e tij të parë në Tiranë, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken nuk ngurroi të shprehë mbështetjen e SHBA-së për reformën në drejtësi. Për këtë arsye, sekretari i Shtetit zhvilloi një takim të veçantë me krerët e institucioneve të drejtësisë në vend, për t’i inkurajuar dhe treguar mbështetjen në punën që bëjnë. 

Pas largimit nga Shqipëria, Blinken ka ndarë foto nga takimi i zhvilluar me përfaqësuesit e drejtësisë, ndërsa ka dhënë edhe një mesazh, duke theksuar se reforma në drejtësia është thelbësore për vendin tonë, si edhe rrugëtimin europian që kemi nisur. Një përgëzim ka për luftën ndaj korrupsionit.

“Reforma në drejtësi është thelbësore për Shqipërinë dhe përpjekjet e saj për integrim në BE. U takova me drejtuesit e reformës në drejtësi në Tiranë për të përgëzuar progresin e tyre në avancimin e shtetit të së drejtës dhe luftimin e korrupsionit”, shkruan Blinken.

Në takimin që u zhvillua te Piramida në Tiranë morën pjesë kreu i SPAK Altin Dumani, kryetarja e gjykatës kushtetuese Holta Zaçaj, kryetari i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi, si edhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani.

Blinken zhvilloi dje, 15 shkurt, një vizitë në Tiranë, ku mesazhet më të rëndësishme i përqendroi te reforma në drejtësi kur tha se ajo po jep rezultatet dhe kështu duhet të vazhdojë, ndërsa vlerësoi rolin ndërkombëtar të Shqipërisë si një aleat i çmuar global i SHBA-ve. Në konferencën për shtyp në Kryeministri, Blinken e Rama evidentuan se sa i rëndësishëm është bashkimi për paqen, ndërsa për Prishtinën e Beogradin thanë se dialogu është e vetmja rrugë.