Vendosni fjalën kyçe....

Udhëheqësi italian i ekstremit të djathtë Salvini në garë me kohën për t’i shpëtuar hijes së Melonit


Pesë vjet më parë, Matteo Salvini konfirmoi statusin e tij si një yll në ngjitje i politikës evropiane të ekstremit të djathtë, kur partia e tij Liga mori një të tretën e votave në zgjedhjet parlamentare italiane të BE-së.

Megjithatë shkëlqimi i tij është zbehur që atëherë edhe pse italianët kanë krijuar qeverinë e tyre më të djathtë që nga Lufta e Dytë Botërore. Popullariteti i tij u eklipsua nga ngjitja në pushtet e aleates së tij Giorgia Meloni dhe partisë së saj nacionaliste Vëllezërit e Italisë.

Liga e Salvinit, një partner më i vogël në koalicionin e djathtë, është nën 9% përpara zgjedhjeve të reja të Parlamentit Europian në qershor, ndërsa partia e Melonit qëndron afër pikës 30%, duke çimentuar pozicionin e saj si forca më e madhe në Itali.

Në një përpjekje për të rindezur mbështetjen, Salvini është shtyrë edhe më tej djathtas për çështje të tilla si krimi dhe marrëdhëniet me Brukselin, por ndryshimi nuk i ka zhvendosur ende sondazhet.

Një nga ligjvënësit evropianë të Ligës, Gianantonio Da Re, i tha Reuters-it se Salvini do përballej me presion të brendshëm për të dhënë dorëheqjen nga posti i liderit nëse nuk ndalonte kalbëzimin në zgjedhjet e qershorit.

“Ne morëm 34% pesë vjet më parë. Nëse marrim 8% këtë herë, dikush do duhet të përgjigjet për të,” tha ai.

Senatori i Ligës, Gian Marco Centinaio – një aleat i rëndësishëm i Salvinit – përjashtoi mundësinë e një përballjeje të mundshme të lidershipit, ose gjasat që partia të paraqitet keq në zgjedhjet e BE-së: “Kjo mundësi nuk ekziston,” tha ai.

Por presioni po rritet.

Lëvizja djathtas e Salvinit ka shkaktuar pakënaqësi brenda radhëve të tij partiake dhe përbën një problem për Melonin pasi ajo kërkon të paraqesë qeverinë e saj si një partner të besueshëm në Evropë dhe më gjerë, sipas disa politikanëve, anketuesve dhe akademikëve.

E ardhmja e politikës së krahut të djathtë në të gjithë Evropën është gjithashtu në fokus, thanë ekspertët, me Salvinin bartësin e një fronti më radikal anti-BE, teksa Meloni drejton përpjekjet për të kapërcyer ndarjen midis konservatorëve kryesorë dhe atyre të vijës së ashpër.

“Salvini po kërkon qartë të radikalizojë pozicionin e tij për të qenë vazhdimisht në lajme dhe për ta vënë Melonin në një pozicion më të vështirë, sepse ajo duhet të mbajë një pozicion më themelor,” tha Mattia Diletti, një profesore e politikës në Universitetin Sapienza të Romës.

“Por është një lojë e rrezikshme. Sa dëshiron ai të destabilizojë qeverinë apo partinë e tij?”

DILEMA ZGJEDHORE

Duke përgënjeshtruar rolin e tij si zëvendëskryeministër, Salvini është shfaqur më shumë si një politikan opozitar në javët e fundit, duke mbështetur me entuziazëm protestat e fermerëve italianë, pavarësisht faktit se një nga ankesat e tyre është një vendim i qeverisë për të hequr lehtësimet e taksave bujqësore.

“Pjesa kryesore e kërkesave të tyre janë kundër politikave të çmendura, pseudo-gjelbërore të Evropës,” tha Salvini më 31 janar, pa adresuar aspektin italian të protestës së tyre.

Ai ka shënjestruar veçanërisht Presidenten e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen, një politikane e moderuar e qendrës së djathtë që ka krijuar lidhje të ngushta papritur me Melonin.

“Unë nuk do votoja për Ursula von der Leyen,” tha Salvini muajin e kaluar, sapo ajo kishte vizituar Romën për të miratuar publikisht një pakt bashkëpunimi afrikan që është një gur themeli i politikës së jashtme të Melonit.

Në vitin 2019, partia e Melonit, Vëllezërit e Italisë, fitoi 6.4% të votave në zgjedhjet evropiane. Mbështetja e publikut për partinë është rritur që atëherë dhe aktualisht po shkon në rreth 28%, me elektoratin e krahut të djathtë që e sheh Melonin si një udhëheqëse më të besueshme se Salvini.

Kryeministrja tani përballet me një dilemë.

Ajo është ende duke shijuar një muaj mjalti të zgjatur pas fitores së saj në vitin 2022, dhe tani mund të synojë të shkojë mbi 30% në zgjedhjet e qershorit duke u bërë vetë kandidate dhe të fitojë më shumë vende si për partinë e saj ashtu edhe për aleancën e saj në Bruksel.

Grupi i Melonit është pjesë e një blloku të partive shumë konservatore në parlamentin e BE-së, ndërsa Liga e Salvinit është e lidhur me Alternativën për Gjermaninë (AfD) të ekstremit të djathtë dhe grupin Rassemblement National të Marine Le Pen në Francë.

“Një kandidaturë e mundshme nga Giorgia Meloni do ishte një forcë e rëndësishme lëvizëse për Vëllezërit e Italisë,” tha Carlo Fidanza, kreu i delegacionit të partisë në Parlamentin Evropian për Reuters, duke shtuar se ajo do vendoste bazuar në atë që do ishte më e mira për qeverinë.

Megjithatë, një zyrtar i lartë i partisë i afërt me Melonin, i cili nuk pranoi të emërohej, tha se kryeministrja mund të mos dalë si kandidate sepse ajo kishte frikë se nëse Liga do pësonte një humbje të rëndë, do hidhej në trazira dhe do destabilizonte koalicionin.

Sipas ligjit italian, anëtarët e qeverisë ose ligjvënësit nuk lejohen të mbajnë një vend në Parlamentin e BE-së, që do të thotë se Meloni do ishte vetëm një kandidate për t’i dhënë një shtysë partisë së saj.

PRIORITETET ZGJEDHORE

Shumë votues italianë nuk duan që qeveria t’i japë përparësi çështjeve të nxehta të krahut të djathtë të së kaluarës, si emigracioni dhe marrëdhëniet me Evropën, sipas një sondazhi me 2,000 qytetarë të botuar më 22 janar nga instituti kërkimor Demopolis, i cili zbuloi se çështjet kryesore ishin kostoja e jetesës, kujdesit shëndetësor dhe taksave.

Anketuesi Antonio Noto tha se e djathta e Salvinit rrezikonte të binte, me vlerësimet e miratimit të tij që nuk panë rritje, edhe pse ai po ringjall temat e vjetra populiste që funksionuan mirë në të kaluarën, si kërkesa për tredhje kimike për përdhunuesit.

“Salvini po zhvillon të njëjtën fushatë elektorale si në vitin 2019, e cila ishte një sukses në atë kohë, por kohët kanë ndryshuar”, tha Noto.

“Siguria është e rëndësishme, por kujdesi shëndetësor është shumë më i rëndësishëm dhe ai flet për të parën.”

Tashmë ka murmuritje pakënaqësie brenda Ligës për strategjinë e Salvinit, veçanërisht kur ai zbuloi muajin e kaluar se ai mund të paraqiste si kandidat kryesor të partisë një gjeneral ushtrie, i cili ka botuar një libër shumë të shitur në të cilin ai poshtëronte LGBT-të, emigrantët, pakicat dhe grupet feministet.

Në një shenjë të rrallë të mospajtimit publik brenda Ligës, Da Re – ligjvënësi evropian i Ligës – ka njoftuar se nuk do kandidojë për rizgjedhje nëse Gjenerali Roberto Vannaçi katapultohet në përbërjen e partisë.

“Ai njeri nuk ka asnjë lidhje me vlerat tona”, tha Da Re për Reuters.

“Salvini mendon se për shkak se 200,000 njerëz e blenë librin e tij, ata do votojnë për të. Por kjo është e pakuptimtë. Do na humbasë mbështetjen sepse shumë nga mbështetësit tanë e kundërshtojnë këtë.”

Ndërsa Salvini e ka tërhequr partinë në të djathtë që nga marrja e pushtetit në vitin 2013 dhe e ka zgjeruar tërheqjen e saj përtej bastioneve të saj veriore, forcat e vjetra ende kanë ndikim të madh në çifligjet tradicionale të partisë.

Një person me rëndësi është kreu i njohur i rajonit të Venetos, Luca Zaia. Ai ka mohuar se dëshiron të zëvendësojë Salvinin në krye, duke thënë se fokusi i tij është Veneto. Megjithatë, mandati i tij skadon vitin e ardhshëm dhe sipas rregullave në fuqi ai nuk mund të kërkojë rizgjedhje.

Profesori i politikës Diletti tha se Zaia i moderuar mund ta mposhtte Salvinin nëse ai do vendoste ta sfidonte ndonjëherë.

“Zaia do ishte një konkurrent shumë i fortë, jo vetëm për Salvinin, por edhe për Melonin”, shtoi ai.

“Kjo është një arsye tjetër pse ajo nuk do dëshironte ta shihte Ligën të dilte keq në zgjedhjet e qershorit”.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani