Vendosni fjalën kyçe....

Biden i zemëruar me prokurorin e posaçëm, këmbëngul se kujtesën e ka në rregull


Në një fjalim të befasishëm të enjten, Presidenti amerikan Joe Biden reagoi me zemërim ndaj një raporti të Prokurorit të Posaçëm, Robert Hur, i cili po hetonte mbajtjen e paautorizuar të dokumenteve sekrete nga zoti Biden pasi u largua nga posti i nënpresidentit më 2017.

Prokurori Hur e përshkruan në raport Presidentin Biden si “një burrë të moshuar me qëllime të mira dhe me kujtesë të dobët”.

Shtëpia e Bardhë akuzoi prokurorin Hur për përdorim të një “gjuhë shumë paragjykuese”, të papërshtatshme për Departamentin e Drejtësisë.

Presidenti Joe Biden nuk do të përballet me akuza për marrjen me vetëdije të dokumenteve të klasifikuara pasi u largua nga posti i nënpresidentit më 2017, njoftoi prokurori i posaçëm Robert Hur të enjten, duke rrëzuar një çështe të rëndësishme kundër presidentit, ndërsa ai kërkon mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë.

Prokurori Hur shkruan në raport se vendimin për të mos ngritur akuza, e mori pas një hetimi 15-mujor, meqë zoti Biden ishte bashkëpunues dhe se do të ishte e vështirë që ai të dënohej.

Në raport ai e përshkruan presidentin si një “burrë të moshuar me qëllime të mira dhe me kujtesë të dobët”.

Ky vlerësim riktheu në qendër të vëmendjes shqetësimet e kahershme mbi moshën dhe kujtesën e Presidentit Biden.

Raporti e përshkruan kujtesën e demokratit 81 vjeçar si “të mjegulluar”, “të paqartë”, “të gabuar”, “të varfër” dhe me “mjaft kufizime”.

Në dokument thuhet se zoti Biden nuk mund të kujtonte momente të rëndësishme të jetës së tij, si për shembull vdekjen e djalit të tij Beau, ose koha kur ai shërbeu si nënpresident.

“Kujtesën e kam në rregull”, u përgjigj i zemëruar Presidenti Biden mbrëmjen e së enjtes në një konferencë në Shtëpinë e Bardhë dhe mohoi të ketë harruar datën e vdekjes së djalit.

Beau Biden vdiq nga kanceri në tru më 2015, në moshën 46 vjeçare.

Megjithëse Presidenti Biden nuk do të përballet me akuza për keqpërdorim të dokumenteve sekrete, vlerësimet në raport mund të dëmtojnë mesazhin e zotit Biden për votuesit se ai është në gjendje të udhëheqë qeverinë dhe të mbrojë vendin.

Ndërsa zgjedhjet po afrojnë, votuesit kanë dyshime të mëdha për moshën e zotit Biden, pasi kanë parë gafat e tij, kollitjen, ecjen e ngadaltë dhe rrëzimet në paraqitjet publike.

Presidenti Biden tha se vlerësimet mbi kujtesën dhe vdekjen e djalit të tij “janë komente të parëndësishme” që “nuk kanë vend në këtë raport”.

“Si dreqin guxon ta ngrejë këtë çështje?”, u shpreh zoti Biden.

“Sinqerisht, kur m’u bë pyetja, mendova me vete se nuk është puna e tyre. Në ditën përkujtimore ne organizojmë shërbesë për ta kujtuar atë, ku marrin pjesë miqtë, familja dhe njerëzit që e donin atë. Nuk kam nevojë për askënd, nuk kam nevojë që dikush të ma kujtojë se kur ai ndërroi jetë”, tha zoti Biden.

Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve mbi kujtesën e tij, Presidenti Biden tha se ai është “personi më i kualifikuar në vend për të qenë president dhe të përfundjë atë që ka nisur”./VOA