Vendosni fjalën kyçe....

Autostradat franceze mbeten të bllokuara ndërsa protestat e fermerëve vijojnë


Fermerët vijuan të bllokojnë autostradat rreth kryeqytetit të Francës të martën për të protestuar ndaj politikave bujqësore të qeverisë dhe rregulloreve të BE-së, raportuan mediat lokale.

Të pakënaqur me njoftimin e kryeministrit Gabriel Attal të premten e kaluar për të hequr një rritje të taksës së karburantit bujqësor, shumica e fermerëve zgjodhën të zgjeronin protestat mbarëkombëtare, ndërsa grupet e tjera i dhanë fund.

Fermerët me afro 800 traktorë filluan të mbërrijnë për të bllokuar tetë autostradat rreth Parisit që ishin në shënjestër, sipas të përditshmes Le Figaro.

Ministri i Bujqësisë Marc Fesneau, i cili u zotua të hënën të shpallë masat e reja brenda 48 orëve, do shkojë në Bruksel të mërkurën për të vlerësuar gjendjen, tha i njëjti burim.

Presidenti Emmanuel Macron do takohet me presidenten e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, të enjten në Bruksel, për të diskutuar gjithashtu gjendjen e sektorit bujqësor.

Të premten e kaluar, Kryeministri Attal hoqi dorë nga planet e qeverisë për të rritur në mënyrë progresive taksën për karburantet bujqësore me 0,03 euro në vit deri në vitin 2030.

Ai u zotua gjithashtu të thjeshtojë në mënyrë drastike procedurat administrative dhe premtoi se do shpërndajë shpejt ndihmën për emergjencat financiare.

Ligji Egalim i vendit, i cili synon të mbrojë të ardhurat e fermerëve në negociatat me industrinë dhe supermarketet, ishte një tjetër pikë debati për fermerët protestues.

Attal premtoi të sigurojë respektimin e ligjit, të ushtrojë presion maksimal në negociatat tregtare dhe të sanksionojë rëndë ndërmarrjet që kundërshtojnë të respektojnë atë.

Deklaratat e Attal ndanë fermerët, të cilët kërkojnë paga më të mira, administrim të thjeshtuar, asnjë ndalim të ri të pesticideve, fundin e rritjes së çmimit të karburantit të traktorëve dhe kompensim më të mirë pas fatkeqësive.

Ata po kundërshtojnë gjithashtu presionin në rritje të rregulloreve të BE-së, si dhe një marrëveshje të mundshme të tregtisë së lirë midis BE-së dhe Mercosur, aleancës rajonale të Amerikës së Jugut.

Protestat nisën dy javë më parë pasi demonstruesit bllokuan autostradat në Francën jugperëndimore.

Vende të tjera evropiane, duke përfshirë Gjermaninë, Belgjikën dhe Rumaninë, janë tronditur javët e fundit nga protestat e fermerëve që kanë kritikuar rregulloret e BE-së, duke përfshirë nismën e Marrëveshjes së Gjelbër të bllokut dhe politikën e saj të përbashkët bujqësore.

Programi i Marrëveshjes së Gjelbër të BE-së, i shpallur në vitin 2019, synon të arrijë asnjanësinë e klimës dhe çlirimet zero të karbonit në BE deri në vitin 2050.