Vendosni fjalën kyçe....

Berisha del në dritare e sulmon SPAK-un: Edi Rama, sot të mbron Altin Dumani po bashkë me të do të japim ndëshkimin më të rëndë


Ish-kryeministri Berisha ka pësëritur akuzat ndaj SPAK-ut e kreut Altin Dumani.

Ai doli në dritare duke përsëritur ritualin e përnatshëm për të përshëndetur mbështetësit.

Berisha, i cili u la në arrest shtëpie nga gjykata pas dëshmisë së tij në SPAK javën e shkuar, tha se kryeministri Rama është i tmerruar nga fjala e lirë e nga denoncimet e tij.

Ai paralajmëroi gjithashtu se demokratët e qytetarët se do i japin ndëshkimin më të rëndë Ramës.

“Edi Rama i tmerruar nga fjala, denoncimet e Sali Berishës, mendoi të shpëtojë prej tij duke e vendosur atë në arrest shtëpie. Por krijoi me dhjetëra, qindra, mijëra Sali Berishës të tjerë të cilët e shndërruan në ‘rrugën e Shpresës’, rrugën e gjyqit publik të regjimit. Rrugën e gjyqit publik të vjedhjeve të Edi Ramës dhe suitës së tij. Rrugën e gjyqit publik të lidhjeve të tij me krimin. Rrugën e gjyqit publik vjedhjeve të familjarëve të tij, të pasurimit të familjes së tij, të 16-fishimit të të ardhurave duke shfrytëzuar karrigen e tij. Të shpërdorimit dhe vjedhjes me qindra milionë eurove me djegësat, me sterilizatorët. Të denoncimit të aferës prej miliarda euro të portit të Durrësit, të denoncimit dhe gjyqit publik për Edi Ramën, skandalin e tij ndërkombëtar me McGonigal. Edi Rama të mbron sot Altin Dumani, por bashkë me Dumanin do të të japim ndëshkimin më të rëndë që meriton”, u shpreh ai.

Ditët e fundit Berisha ka shtuar sulmet ndaj SPAK-ut e kreut të tij Dumani duke e quajtur atë një zgjatim të kryeministrit Rama që vepron sipas urdhrave të kreut të qeverisë.

Ndërkohë pak ditë më parë u shfaq synimi i Edi Ramës e shumicës socialiste për të kontrolluar SPAK-un përmes një komisioni ad-hoc.