Vendosni fjalën kyçe....

Deklarata e Dumanit, Meta: Kam gjithë jetën nën hetim, e di që prokurorët kanë marrë angazhime personale për t’u marrë me mua


Kreu i PL-së, Ilir Meta në një konferencë për gazetarët u pyet në lidhje me deklaratën e djeshme të kreut të SPAK, Altin Dumani.

Meta refuzoi të fliste, duke thënë se nuk kishte asnjë koment për deklaratën e Dumanit, ndërsa shtoi se ka qenë nën hetim gjithë jetën.

Dje nga Shkodra kreu i SPAK u pyet se në çfarë fazë është hetimi ndaj Ilir Metës. Kësaj pyetje Dumani tha se çështja është nën hetim dhe se nuk mund të japë të dhëna.

“S’kam asnjë koment për këtë deklaratë dhe e di që kam qenë gjithë jetën në hetim. E dimë gjithashtu që prokurorët kanë marrë angazhime personale për t’u marrë me Metën. Unë kam qenë, jam dhe do të jem këtu përballë jush. Të jeni të sigurt që s’ka asnjë forcë e cila mundet të zhbëjë PL-në si një parti të vërtetave të mëdha”, u shpreh Meta.

Ndër të tjera Meta u ndal edhe tek bllokimi që deputetët e ‘Rithemelimit’ dhe grupit të Gazment Bardhit i bënë komisionit për Reformën Zgjedhore që më pas u detyrua të vijojë me mbledhjen online.

Kreu i PL akuzoi qeverinë për bllokimin e punës ndërsa solli në vëmendje letrën e 47 deputetëve të opozitës ndaj kryeparlamentares Lindita Nikolla gjatë ditës së djeshme ku kërkohet përfaqësimi i tyre në komisionin e Reformës Zgjedhore.

“Është e qartë se punën për komisionin e reformës e bllokon Edi Rama dhe mazhoranca për arsye se rregullorja e Kuvendit e bën të qarrtë parimin e proporcionalitetit si i vetmi parim ku mbështetet përfaqësimi i opozitës. 

Janë 47 deputetë opozitarë që kanë dorëzuar një dokument kur kërkojnë në mënyrën më legjitime të kenë bashkëkryetarin, jo se ata duan kështu por për shkak të parimit të proporcionalitetit. Është detyrë e mazhorancës të respektojë këtë parim dhe të zhbllokohet puna e komisionit”– tha Meta.