Vendosni fjalën kyçe....

Lideri i opozitës serbe: Shërbimi sekret më rrahu dhe kërcënoi se vendosa lule mbi varrin e 7-vjeçares së familjes Jashari


Nikola Sanduloviç, lider i Partisë Republikane Serbe, i cili kërkoi falje për krimet kundër shqiptarëve etnikë, ka folur për ”The Guardian’‘ për herë të parë pas lirimit nga paraburgimi.

Politikani opozitar serb pretendon se arrestimi i tij ishte një provë e tmerrshme në të cilën shërbimet sekrete të Beogradit ‘më rrahën, torturuan, më poshtëruan dhe më kërcënuan se do të më vrisnin mua dhe familjen time’.

Sanduloviç, u arrestua 10 ditë më parë, pasi u dhunua për më shumë se gjashtë orë nga shërbimi i inteligjencës serbe. Për pasojë, thanë avokatët e tij, ai mbeti i paralizuar në anën e majtë dhe pësoi dëmtime nervore.

Duke folur për herë të parë që nga lirimi i tij, Sandulović është shprehur: “Më rrëmbyen anëtarët e policisë sekrete serbe, të cilët më rrahën, torturuan, më poshtëruan dhe më kërcënuan se do të më vrisnin mua dhe familjen time për më shumë se gjashtë orë , duke më rrezikuar jo vetëm shëndetin, por edhe jetën. E gjithë kjo për shkak të shprehjes sime politike dhe aktit të vendosjes së luleve mbi varrin e një vajze të vrarë shtatë vjeçare, e cila i përkiste familjes Jashari.’

Sandulović është akuzuar për shkelje të ligjeve që ndalojnë nxitjen e urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare.

Akuzat u ngritën pasi ai kërkoi falje për krimet e kryera nga serbët kundër shqiptarëve etnikë gjatë luftës së Kosovës për pavarësi në vitin 1998 dhe 1999. Ai është kritikuar ashpër nga mediat pro-qeveritare për ripostimin e një videoje të një vizite që bëri në varrin e Ademit Jashari, themelues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili u vra nga forcat serbe në vitin 1998 së bashku me 57 anëtarë të familjes së tij.

Sandulović tha se pas sulmit të supozuar, shërbimi sekret e mori atë në shtëpi. Menjëherë pas, tha ai, ka mbërritur policia me urdhër për ta çuar në burg. Në vend të kësaj, tha ai, u dërgua në qendrën e urgjencës pasi “gjendja e tij ishte kritike”.

Duke folur incidentin, i cili ka ngjallur frikë për demokracinë në Serbi, politikani opozitar tha se më pas u transferua në një spital burgu dhe u dënua në të njëjtën kohë me “paraburgimin e padrejtë prej 30 ditësh”, i cili tha ai i ka vënë në rrezik jetën e tij.

Agjencia e Inteligjencës së Sigurisë (BIA) e ka pranuar marrjen në pyetje të Sandulović-it, por, në një deklaratë për Financial Times, tha se ai “nuk i ishte nënshtruar ndonjë përdorimi të paligjshëm të forcës fizike ose shkeljes së lirisë dhe të drejtave”.

BIA vetëm donte të “zbardhte kontekstin e veprimeve të paligjshme të Sandulović-it, të cilat prokurori kompetent i klasifikoi si vepër penale… duke nxitur urrejtje dhe intolerancë kombëtare, racore dhe fetare”. Shërbimi mohoi raportet se agjentët e tij e kishin rrahur atë, duke thënë se akuzat kishin për qëllim destabilizimin e vendit.

Lirimi i Sanduloviç erdhi pasi partitë opozitare në Serbi u nxitën nga një diskutim në Parlamentin Evropian në Strasburg për akuzat se zgjedhjet e fundit ishin manipuluar në favor të SNS të presidentit Aleksandar Vuçiç, një akuzë që Vuçiç e mohon.

Marinika Tepić e koalicionit të opozitës Serbia kundër dhunës (SPN) tha të martën: “Ne e kemi arritur objektivin tonë dhe sot Evropa dhe e gjithë bota e dinë se ne i kapëm hajdutët në flagrancë”.