Vendosni fjalën kyçe....

PD: Qeveria krihet, Shqipëria zhbëhet,1200 punonjës fasonerie humbën punën në 24 orë


Anëtari i Kryesisë së PD, Eno Bozdo, ka deklaruar se referuar të dhënave të Shoqatës së Fasonistëve, vetëm në 48 orët e fundit, kanë humbur vendin e punës 1200 punonjës.

Në një konferencë për shtyp, ai u shpreh se ky sektor e ka të vështirë të mbijetojë në treg pas zhvlerësimit të euros, aq më tepër kur kërkesat e vazhdueshme për subvencione, nuk janë dëgjuar nga qeveria.

Deklarata e plotë:

Në 48 orët e fundit, siç raporton edhe Shoqata e Fasonistëve, 1200 punonjës të kësaj industrie kanë humbur punën, e bashkë me të, të ardhurat për të mbajtur familjet e tyre. Pra vetëm në 48 orë, edhe 1200 familje i janë shtuar shtresës së varfër në Shqipëri, që përben 33% të popullatës së vendit (Banka Botërore).

Është kjo kronika që të lë pa fjalë, e agonisë falimentuese të një industrie të tërë, industrisë eksportuese fasoniste, e cila jo për faj të saj, por për faktin e zhvlerësimit me afro 25% të euros që nga viti 2018, nuk mundet dot më të konkurrojë në tregjet evropiane.

Gjatë kësaj kohe, përballë thirrjeve dëshpëruese për mbështetje të përfaqësuesve të kësaj industrie, ka qëndruar veshshurdhër qeveria, e cila jo vetëm nuk ka afruar asnjë ndihmë, por është duke vështruar me gjakftohtësi sesi po zhduket një sektor i tërë i ekonomisë eksportuese.

Fasoneria është kontribuuesi i tretë më i rëndësishëm në bilancin e tregtar të vendit, pas turizmit dhe remitancave. Ajo punëson drejtpërsëdrejti 75 mijë persona dhe përbën rreth 35% të eksporteve totale të Shqipërisë.

Por fluksi i pafund i parave të pista që pastrohen në Shqipëri veçanërisht në industrinë e ndërtimit, ka rrënuar euron e bashkë me të aftësinë konkurrues në treg të kësaj industrie. Qeveria e njeh këtë situatë plotësisht, dhe me ndërgjegje të plotë zgjedh pastrimin e parave në vend të ekzistencës së 75 mijë familjeve shqiptare që mbahen nga kjo industri.

Nuk ka një rast të dytë në botë kur një sektor është, jo për faj të tij, në një krizë ekzistence dhe qeveria realisht as nuk e përmend fare këtë çështje në prioritete e saj.

Mesazhi që qeveria i jep këtyre familjeve është i qartë: “n.q.s s`keni të hani, ikni nga vendi, sepse ky nuk është vend për njerëz të punës. Na duhen më shumë lekët e drogës se ato i pastrojmë kollaj, sesa djersa e ballit e punës tuaj të ndershme”.

Prandaj ne sot gjendemi përpara faktit se në dekadën e fundit, 1 milionë shqiptarë, afro 35% e popullatës së vendit, ka ikur! Zhbërja e Shqipërisë po ndodh përpara syve tanë! Nuk është një skenar filmi hollivudian, si ai që shohin përditë përfaqësues të mazhorancës, por një tragjedi e vërtetë që shpaloset cdo ditë e më dhimbshëm.

Fasonistët nuk janë të vetmit. Profesionistët e lirë që tatohen me 23% nga qeveria, kur biznesmenët e mëdhenj tatohen me vetëm 8%, janë gjithashtu një specie në zhdukje. Fermerët po ashtu, sepse jeta në fshat është tashmë realisht e pamundur!

Qeveria krihet, ndërsa Shqipëria zhbëhet. Kudo dhe kurdoherë, historia na mëson se askush nuk mund ta ndreqë këtë përveç vetë shqiptarëve. Të ikësh nuk është zgjidhje, kur këtu të gjithë së bashku, me mjete civile të mosbindjes, mundemi ta përmbysim këtë regjim që po i merr frymën të gjithëve, socialistë apo demokratë. Duhet vetëm guxuar, çdo ditë, për tu përballur me të.

Partia Demokratike është e vendosur në misionin e saj. Ne do të rezistojmë dhe do të fitojmë. Në fund ai që do të largohet do të jetë Rama, dhe jo shqiptarët e ndershëm. Por koha nuk pret, prandaj, O Sot O kurrë!