Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohen dy vëllezërit në Shijak, i sekuestrohet mbi 1kg kokainë


Policia ka goditur një rast të shpërndarjes së drogave të forta në afërsi të shkollave dhe në ambiente të ndryshme në Shijak.

Në pranga ranë dy vëllezërit si dhe u sekuestruan 1 kilogramë e 50 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 2 peshore elektronike që shërbenin për ndarjen në doza të lëndës narkotike, 2 automjete dhe 4 celularë.

Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar të koduar “Tempulli” dhe në Paketën për Sigurinë në shkolla, si dhe si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një rast të veprimtarisë kriminale të shitjes së drogave të forta në doza, në qytetin e Durrësit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Durrës finalizuan operacionin policor të koduar “Pjeza”.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kapur dhe vënë në pranga shtetasit N. B., 45 vjeç, dhe I.(B.) D., 41 vjeç, vëllezër, banues në fshatin Pjezë, Shijak, si dhe kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 kg e 50 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, 2 peshore elektronike që këta shtetas i përdornin për të ndarë lëndën narkotike në doza, 2 automjete dhe 4 celularë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim”-njofton policia.