Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj zbulon surprizat e natës së ndërrimit të viteve


Teksa orët e fundit të vitit janë duke mbaruar, Tirana është përgatitur për një atmosferë sa më festive dhe të gëzueshme për të pritur 2024-n.

Në një intervistë për FitStation në News 24, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zbuloi disa nga surprizat e mbrëmjes së Vitit të Ri në Tiranë.

Nga koncerti me artistët më të mirë shqiptarë e deri të spektakli i fishekzjarrëve, Veliaj tha se këtë vit risia është se në sheshin “Skënderbej” do ketë pafund turistë që kanë zgjedhur kryeqytetin tonë për të festuar ndërrimin e viteve.

“Do të kemi një spektakël të jashtëzakonshëm fishekzjarrësh. Koncerti fillon që në orën 21:00 dhe do të performojnë disa artistë. Kemi kuptuar se për vitin e Ri, Tirana është një destinacion i shumë turistëve të huaj, që vendosin ta kalojnë fundvitin në një qytet unik, ndaj e fillojmë koncertin pak më herët. Në orën 12.00 do të bëjmë numërimin mbrapsht dhe fishekzjarret. Do jetë një spektakël i vërtetë për fëmijët, më pas do të vijojë koncerti deri nga ora 02.00-03.00 e mëngjesit. Pastaj fillon puna për pastrimin e Tiranës. Data 1 janar është data më sfiduese për punonjësit tanë të pastrimit, të cilët teksa njerëzit janë ende duke përtypur gjelin dhe duke bërë pak gjumë, ata duhet të dalin që në orën 05.00 të mëngjesit. U jam vërtet mirënjohës sepse janë të parët për të pastruar e rregulluar qytetin. Ftesa që u kemi bërë gjithë qytetarëve është: Spektakli i fishekzjarrëve të Bashkisë del e tepron. Nuk ka nevojë të plasin fishekzjarre sepse kemi kaluar disa vite të mira pa incidente në Tiranë. Do doja që edhe ky të ishte një vit i mirë. Piromania për të pasur secili ‘armën’ e tij duhet të na kalojë një moment. Më vjen mirë që çdo vit Tirana është më mirë. Pothuajse s’kemi dëgjuar shashka gjithë këtë vit. Policia ka bërë punën e saj. Dua ta mbajmë kështu edhe sot me festat, për t’u siguruar që kalojnë pa incidente”, u shpreh Veliaj.