Vendosni fjalën kyçe....

Rama: “habitet” nga Inteligjenca Artificiale, pastaj bën urimin: Ky ishte padiskutim viti më i mirë i Shqipërisë


Kryeministri Rama ka uruar shqiptarët për Vitin e Ri.

Në hyrje të videos që shfaqur nga kreu i qevrisë në faqen e tij në Facebok, është një sekuencë e shkurtër e formëuar nga Inteligjenca Artificiale që shfaq kreun e qeverisë duke uruar shqiptarët me mesazhin që nis me fjalinë: Unë jam Edi Rama, prapa më vijnë historia e viti i ri 2030.

Pas përfundimit të sekuencës rreth 1 minutëshe, shefja e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj., shpjegon edhe si u dnërtua videoja përshëndetëse në fjalë.

Në urimin, tashmë nga vetë Rama personalisht, ai thotë se pavarësisht përparimit të vrullshëm të teknologjisë, ajo nuk e zëvendëson dot kohën dhe as anëtarët e familjes e njerëzit e dashur.

“Ky që po mbyllet ishte një tjetër vit i një kohe ndryshimi marramendës për njerëzimin, ndryshimi më marramendës i historisë njerëzore – ku progresi teknologjik ka hyrë në një shpejtësi të paimagjinueshme deri pak vite më parë. Po një gjë është e sigurtë. Teknologjia as nuk na e merr dot, kohën që na është dhënë në këtë tokë me nënën, babën, fëmijët, familjen, rrethin e njerëzve të dashur, as nuk na i zëvendëson dot ata që duam e na duan, bashkë me vendin ku jemi lindur e ku flasim gjuhën e nënës. Na takon ne të bëjmë më të mirën me këtë kohë që na është dhënë dhe sonte, unë ju uroj gjyshërve, nënave e baballarëve, fëmijëve e fëmijëve të fëmijëve, nipave e mbesave, të gjithë shqiptarëve kudo ku janë, një mbrëmje të gëzuar në tavolinën e festës së madhe të këtij fundviti dhe një Vit të Ri siç jua do zemra, shëndet, paqe e dashuri, e me mundësi të reja për realizimin e ëndrrave dhe përmbushjen e shpresave.” – thotë Rama.

Kryeministri shton më tej se viti 2023 ishti më i miri i Shqipërisë si në arenën ndërkombëtare ashtu edhe për sa i përket numrit të lartë të turistëve që vizituan vendin.

“Ky ishte padiskutim viti më i mirë i Shqipërisë; besimi tek Shqipëria u rrit ndjeshëm, flamuri ynë u duk më bukur se asnjëherë në skenën ndërkombëtare, ndërsa vendi ynë u vizitua më shumë se në çdo vit tjetër më parë nga njerëz që erdhën nga e gjithë bota. Ky ishte viti i hyrjes së Shqipërisë me dinjitet në hartën turistike të Europës; të ardhurat dhe siguria e Shqipërisë u rritën gjithashtu, bashkë me investimet e brendshme e të huaja, që arritën shifrën më të lartë ndonjëherë, njësoj siç u fuqizua monedha jonë, e cila nuk ka qenë kurrë më e fortë sesa sot; rritja e pagave vazhdoi për të mos u ndalur vitin e ardhshëm, kur do të arrijmë në 900 Euro nivel të pagës mesatare në sektorin publik dhe do të kemi një rritje rekord të pagave në sektorin privat.” – shtoi kreu i qeverisë.

Në fund Rama tha përsëriti shprehjet e zakonshme të kërkimit të ndjesës ndaj shqiptarëve [ër gjërat që nuk kanë shkuar mirë si dhe për shfaqjen e tij në ekrane.

Kryeministri tha se Shqipëria po del nga tranzicioni i vështirë dhe i mundimshëm dhe se po bëhet, gjë të cilën e quajti mision krejt të mundur.

“Por kjo nuk është dita e as ora për t’ju folur më gjatë për shumë gjërat e mira që u bënë këtë vit…

Madje ky është momenti për t’ju falenderuar thellësisht nga zemra për sa shumë më keni inkurajuar, mbështetur, po edhe duruar në aq shumë herët që ju jam shfaqur gjatë vitit në ekranet tuaja pa ju marrë leje, dhe për t’ju siguruar se jam shumë i vetëdijshëm, edhe për gjërat që s’kanë shkuar mirë, edhe për shumë gjërat që duhen bërë më tutje. Çka kemi bërë deri këtu nuk do të kishte asnjë vlerë nëse do të ndalej këtu, por edhe me kaq e ka një vlerë të madhe për besimin se ky vend më në fund po bëhet; se ky vend ka dalë më në fund nga kthesa e gjatë dhe e vështirë e tranzicionit të mundimshëm; se këtë vend po e bëjmë ne, shqiptarët e kësaj kohe, të gjithë bashkë, hap pas hapi, duke ecur gjithnjë e më shpejt, e duke mësuar se si t’i bëjmë gjërat gjithnjë e më mirë. Shqipëria Zonjë, nuk është më një amanet i penguar qysh prej kohës së rilindasve tanë, po është tanimë misioni ynë krejt i mundur; një realitet që ka nisur të marrë formë dhe është bërë i arritshëm me sy, si më e mira që është e gjitha përpara nesh!” – mbyli urimin Rama.