Vendosni fjalën kyçe....

Nga transkriptet e Encro Chat, tek çështja McGonigal dhe sekuestrimi ndaj Kryemadhit, çfarë thotë kreu i SPAK-ut për gazetarët


Në takimin me gazetarët për fundvit, Altin Dumani nuk dha shifra zyrtarësh kryesisht policorë të dalë nga transkriptet e Encro Chat dhe Sky Ecc, por tha se pothuajse në çdo material, ka emra të tyre të përfshirë, teksa foli edhe lidhur me çështjen e posedimit të një aparati të tillë, ku qëndrimi i tij nxjerr në pah përplasjen me ministrinë e brendshme që disa javë më parë komunikoi se çdo punonjës policie që i kanë përdorur duhet të përjashtohet nga strukturat.

“Mbajtja e këtyre aplikacioneve nuk përbën vepër penale, jo çdo bisedë që kryhej aty përben shkelje, por nëse ka komunikime që i kompromentojnë atëherë është çështje tjetër që verifikohen e merren masa. Por në çdo hetim na dalin një ose më shumë polic, gjithashtu nuk kanë munguar edhe në radhët e prokurorëve, ju marr shembull rast që tashmë është publik Xhevahir Lita” tha Altin Dumani.

Dumani iu përgjigj disa pyetjeve me interes që kanë të bëjnë me çështje konkrete ndaj të cilave organi i akuzës ka hetime apo akuza të paraqitura në gjykatë.

Për McGonigal ai u pyet në kudadrin e një kallëzimi që është bërë në SPAK nga Gazment Bardhi ku Dumani konfirmon regjistrimin e procedimit dhe la të kuptohet se po kryhen hetime por nga ana tjetër nuk komentoi fazën ku ndodhen dhe nëse ka komunikim apo bashkëpunim me autoritetet amerikane.

 “Ne nuk mund të japim asnjë informacion. Kemi patur një kallëzues (Gazment Bardhi), e kemi informuar për gjithçka që ka kërkuar por i kemi kërkuar të nënshkruajë mbi ruajtjen e sekretit hetimor dhe të mos bëhen publike”.

Sa i përket sekuestrimit ndaj Monika Kryemadhit, apo hetimet ndaj Metës, Dumani tha:

“Kontrollet tona janë instrument  për të gjetur proven. Sa i takon Metës, është çështje ndaj të cilës po kryhen ende hetime dhe nuk kam një koment”