Vendosni fjalën kyçe....

Vendet e Evropës Veriore nxitojnë të sigurojnë marrëveshje të reja mbrojtjeje me SHBA-në


Vendet e Evropës Veriore po nxitojnë të strehohen nën ombrellën e sigurisë së Uashingtonit.

Një rritje e marrëveshjeve të reja të mbrojtjes midis SHBA-së dhe aleatëve në Evropën Veriore lejojnë vendosjen e shpejtë të trupave amerikane, duke shënuar përgjigjen më të fundit ndaj pushtimit rus të Ukrainës.

Paktet e reja shumëvjeçare me Suedinë, Finlandën, Danimarkën, Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë, të nënshkruara këtë muaj sinjalizojnë një ndryshim të madh që ka ndodhur brenda NATO-s gjatë dy viteve të fundit, ndërsa vendet anëtare garojnë për të rimbushur arsenalet pas dërgimit të armëve në Ukrainë në një epokë të re përplasjeje me Moskën.

Në qendër të të gjashtë marrëveshjeve të bashkëpunimit për sigurinë e mbrojtjes janë udhëzimet për lejimin e trupave amerikane të operojnë në vend për misione stërvitore dhe lehtësimin e burokracisë për personelin dhe pajisjet e tyre për t’u vendosur shpejt në rast emergjence.

“Kjo i lejon SHBA-së të thotë: I gjithë rajoni është një rajon i vetëm mbrojtës. Si mund të punojmë së bashku, si në planifikim, stërvitje, operacione parandaluese? Tani ju mund t’i bëni të gjitha në një mënyrë racionale, në vend që të duhet të thoni: ne nuk mund të furnizohemi me karburant në Suedi,” tha Charly Salonius-Pasternak, një studiues kryesor në Institutin Finlandez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare.

Në vazhdën e pushtimit fillestar të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, Suedia dhe Finlanda filluan të ushtroheshin dhe stërviteshin më nga afër me NATO-n dhe kombet e saj, duke siguruar një prani de facto të aleancës në veriun e kontinentit, që nuk kishte ekzistuar më parë. Vendet, së bashku me fqinjët e tyre baltik në jug, ndodhen në vijën e frontit, duke vëzhguar me ankth brigjet e tyre baltike për veprimtarinë ruse dhe do mirëpresin praninë e shtuar të SHBA-së.

“Shtytësi kryesor për të gjitha këto marrëveshje është pushtimi i Rusisë, shqetësimet për sigurinë evropiane dhe nevoja për të pasur më shumë forca amerikane drejt lindjes, veçanërisht rasti i Finlandës”, tha Max Bergmann, drejtor i Programit për Evropë, Rusi dhe Euroazi në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

SHBA nënshkroi paktin më të fundit me Finlandën të hënën e shkuar. Moska u përgjigj shpejt dhe thirri ambasadorin finlandez në Rusi për t’u ankuar. Hyrja e Finlandës në NATO në prill ishte një pije veçanërisht e hidhur për Moskën, e cila parapëlqente statusin e jo-angazhimit të vendit. Tani, Finlanda zotëron kufirin më të gjatë të NATO-s me Rusinë, që shtrihet 1287 km nga Deti Baltik deri në Arktik.

Helsinki thotë se Moska ka përdorur emigrantët e paligjshëm për të dëmtuar vendin përgjatë kufirit ruso-finlandez duke i nxitur që të provojnë të kalojnë në Finlandë, duke shkaktuar mbylljen e një sërë pikash kalimi nga ana e Finlandës. Kjo ka shtuar një ndjenjë urgjence për nënshkrimin e një marrëveshjeje sigurie me Shtetet e Bashkuara.

Gjatë vizitës së tij në Uashington për të nënshkruar marrëveshjen e mbrojtjes, ministri finlandez i Mbrojtjes Antti Häkkänen e quajti këtë veprim një “operacion hibrid” nga Moska për të destabilizuar Finlandën.

“Rusia po përdor çdo mjet që mundet.”

Vetëm disa ditë më parë, Vladimir Putin njoftoi se Rusia do ringjallë Qarkun Ushtarak të Leningradit, një grup ushtarak rus i zhdukur prej kohësh që kufizohet me Finlandën, dhe do dërgojë njësi të reja ushtarake atje. Lëvizjet dhanë një shtysë të re për vendosjen e trupave amerikane në tokën finlandeze.

Akti tradicional ekuilibrues i Helsinkit midis Moskës dhe Perëndimit u ndal kur tanket ruse u futën në Ukrainë në shkurt 2022, duke bërë që Finlanda të hynte në aleancën e NATO-s së bashku me Suedinë.

Uashingtoni ka nënshkruar tashmë marrëveshje me Islandën dhe Norvegjinë në vitet e mëparshme, që do të thotë se SHBA-ja tani ka korniza ligjore për të vendosur trupa në të gjitha vendet e rajonit verior të Evropës. Vendet nordike gjithashtu kanë lidhje të thella të mbrojtjes mes njëri-tjetrit – ato janë të gjitha pjesë e marrëveshjes së Bashkëpunimit të Mbrojtjes Nordik, së bashku me Islandën dhe Norvegjinë, një pakt që heq barrierat për bashkëpunimin e mbrojtjes midis vendeve.

Ndryshimet në Evropë që nga viti 2022 kanë qenë historike. Jo vetëm që Finlanda dhe Suedia kanë përmbysur dekada të gjata asnjanësie, por këtë vit Danimarka i dha fund tre dekadave të tërheqjes nga bashkëpunimi në mbrojtje të Bashkimit Evropian, duke iu bashkuar marrëveshjes së Bashkëpunimit të Strukturuar të Përhershëm të BE-së – kuadri për bashkëpunimin e mbrojtjes midis vendeve – si dhe Agjencisë Evropiane të Mbrojtjes .

Por asgjë nuk nënvizoi fokusin e ripërtërirë në parandalimin dhe mbrojtjen në Evropë siç bëri një takim në Pentagon të premten e kaluar, ku Lituania, Letonia dhe Estonia të gjitha përditësuan marrëveshjet ekzistuese me Uashingtonin për të pasqyruar planet e reja të vendosjes ushtarake të NATO-s, stërvitjen e trupave ukrainase dhe projektet e bashkëpunimit kibernetik.

Tuuli Duneton, nënsekretari i politikës së mbrojtjes për Ministrinë e Mbrojtjes së Estonisë, tha pas nënshkrimit se marrëveshja e përditësuar, e cila zgjat deri në vitin 2028, adreson “SHBA-të të kenë prani ushtarake në Estoni, kontribut në zhvillimin e ushtrisë, bashkëpunimin në mbrojtjen kibernetike dhe mbrojtjen e përbashkët balltike.

Fokusi më i gjerë në dislokimet e trupave u theksua të hënën kur Gjermania dhe Lituania nënshkruan një pakt historik për të vendosur 5,000 trupa gjermane përgjithmonë në vendin baltik, një veprim i paimagjinueshëm vetëm dy vjet më parë.

Kryeministrja daneze Mette Frederiksen e përshkroi marrëveshjen e re 10-vjeçare të vendit të saj me SHBA-në të nënshkruar të martën si një “përparim në mbrojtjen daneze”. Në të vërtetë, politika e vendit që nga viti 1953 ishte që të mos kishte “asnjë bazë, asnjë kokë bërthamore dhe asnjë aktivitet ushtarak aleat” në tokën e tij.

Pasi ligjvënësit danezë të miratojnë zyrtarisht marrëveshjen e SHBA-së, ajo do hapë derën për praninë ushtarake të SHBA-së në bazat ajrore në Karup, Skrydstrup dhe Aalborg.

Mbështetja e këtyre marrëveshjeve të reja është një pasiguri e përtërirë politike në Uashington, ku ish-presidenti Donald Trump kryeson ndaj Biden në disa sondazhe dhe askush nuk është plotësisht i sigurt se çfarë do sjellin zgjedhjet e vitit 2024.

Anna Wieslander, drejtoreshë për Evropën Veriore në Këshillin e Atlantikut, tha se të marra së bashku, marrëveshjet e reja të mbrojtjes që përfshijnë gjatësinë e Detit Baltik do krijojnë një rajon që ka një prani më të madhe të SHBA-së “kur vjen puna për të reaguar në një mënyrë të hershme, duke pasur inteligjencë dhe mbikëqyrje për të vepruar herët dhe për të qenë në vend për të penguar.”

“Aleatët duke përfshirë SHBA-në do duan të lëvizin përtej kufijve dhe nordikët do duan të veprojnë së bashku si në ajër, tokë dhe det”, shtoi ajo.

“Kjo është ajo për të cilën ne po përgatitemi.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuake e Politico

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani