Vendosni fjalën kyçe....

Britania e Madhe akuzon Kremlinin se po përpiqet të vendosë liderin pro-rus në Ukrainë


Britania e Madhe ka akuzuar presidentin rus Vladimir Putinin se po komploton për të instaluar një figurë pro-Moskës për të udhëhequr qeverinë e Ukrainës.

Ministria e Jashtme britanike ndërmori hapin e pazakontë duke përmendur ish-deputetin ukrainas Yevhen Murayev si një kandidat të mundshëm të Kremlinit.

“Ne nuk do të tolerojmë komplotin e Kremlinit për të instaluar udhëheqje pro-ruse në Ukrainë.”– tha Sekretarja e Jashtme Liz Truss në Twitter. “Kremlini e di se një inkursion ushtarak do të ishte një gabim i madh strategjik dhe Britania e Madhe dhe partnerët tanë do të impononin një kosto të rëndë për Rusinë”.

Deklarata britanike u publikua në orët e para të së dielës, me orën e Moskës dhe Kievit, dhe nuk pati asnjë deklaratë të menjëhershme nga Kremlini apo nga Murayev. Një burim i ministrisë së jashtme tha se nuk ishte praktikë e zakonshme për të ndarë çështjet e inteligjencës dhe detajet ishin deklasifikuar vetëm pas shqyrtimit të kujdesshëm për të penguar agresionin rus.

Rusia thuhet se ka zhvendosur 100 mijë trupa pranë kufirit të saj me Ukrainën, por mohon se po planifikon një pushtim.

Ministrat e Mbretërisë së Bashkuar kanë paralajmëruar se qeveria ruse do të përballet me pasoja të rënda nëse do të ketë një inkursion.

Rusia kujtojmë se ka aneksuar territorin ukrainas edhe më parë, Krimenë, në vitin 2014, pasi vendi përmbysi presidentin e tyre pro-rus.

Shërbimet e inteligjencës perëndimore dhe ukrainase kanë sugjeruar se një tjetër pushtim ose inkursion mund të ndodhë diku në fillim të vitit 2022, pasi forcat ruse u grumbulluan në kufi.

Rusia ka mohuar se po planifikon ndonjë sulm, por presidenti Putin i ka bërë kërkesa Perëndimit, duke përfshirë që Ukraina të pengohet të bashkohet me aleancën ushtarake të NATO-s. Ai gjithashtu dëshiron që NATO të braktisë stërvitjet ushtarake dhe të ndalojë dërgimin e armëve në Evropën Lindore, duke e parë këtë si një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e Rusisë.