Vendosni fjalën kyçe....

Numri i grave në kartelet e drogës dhe në rrjetin e krimit të organizuar po rritet – Autorja e librit “Narcas”


Përfshirja e grave në rrjetet kriminale në të gjithë Amerikën Latine nuk duhet të jetë befasi, sipas autores dhe gazetares së “Narcas”, Deborah Bonello.

Në fillim të këtij muaji, autoritetet kolumbiane arrestuan shtetasen venezueliane Wanda del Valle Bermúdez Viera, e njohur më mirë si “foshnja e vogël e krimit”, e cila kërkohej nga Interpoli, FBI-ja dhe departamentet e policisë në gjithë Amerikën Latine.

Ajo kërkohej për akuza në lidhje me shfrytëzimin seksual, zhvatjen, shpërndarjen e armëve të zjarrit, vrasjet me porosi dhe trafikimin e qenieve njerëzore, për të cilat mblidhte deri në 7 milionë dollarë në muaj.

Historia e Bermúdez Viera, e cila në vitin 2019 dyshohet se krijoi grupin “Los Llaneros de Sangre Fría” në Peru – një fraksion i grupit të njohur kriminal venezuelian të njohur si El Tren de Aragua – është shpërndarë gjerësisht nga mediat spanjolle, të cilat theksojnë për praninë e saj në rrjetet sociale që tregon jetën e saj luksoze dhe të tepruar.

Bermúdez Viera është vetëm një shembull i një dukurie shumë më të madh: ngritja e grave në strukturat më të dhunshme dhe të rrezikshme të krimit të organizuar në Amerikën Latine.

Një studim i fundit nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, një organizatë e pavarur e përkushtuar ndaj analizës së çështjeve të sigurisë, zbuloi se numri i grave të akuzuara për një vepër penale në lidhje me krimin e organizuar u rrit nga 5.4% në 2017 në 7.5% në 2021.

“Ndërsa shumë nga gratë e akuzuara se i përkasin grupeve kriminale mund të jenë të pafajshme, të dhënat etnografike të mbledhura nga Grupi i Krizave për këtë raport dhe analiza të tjera të ekspertëve mbështesin tezën se gratë përfshihen gjithnjë e më shumë në këto grupe,” thanë studiuesit në “Partners in Crime” : Ngritja e grave në grupet ilegale meksikane.”

Ndërkohë që nuk ka të dhëna zyrtare për pjesëmarrjen e grave në grupet e organizuara kriminale, mbulimi mediatik tregon se ato përfaqësojnë midis 5% dhe 8% të personelit aktiv të këtyre grupeve, sipas studimit.

“Ndonjëherë, organizatat kriminale u ofrojnë disa grave mundësinë për të zhvilluar një skemë lidershipi,” shpjegon Guadalupe Correa-Cabrera, një specialiste në organizatat kriminale dhe akademike në “Universitetin George Mason”, e cili nuk ishte e përfshirë në hetim.

“Dhe meqenëse paragjykimet dhe maskilizmi i bëjnë ato të padukshme në një farë mënyre – ato mund të përparojnë në ato veprimtari pa rënë në sy. Dhe kjo është një gjë që ne duhet ta kuptojmë gjithnjë e më shumë.”

Sipas studiuesve të Grupit të Krizave, në këto organizata kriminale gratë zënë pozicione që variojnë nga “veprimtaritë e paligjshme të nivelit të ulët vetëm për ekzistencë” deri në postet më të larta. Domethënë, disa janë bërë bose, apo “narkas”, drejtuese kriminale që kanë qenë themelorë në operacion dhe në disa raste edhe drejtuese strukturash të tëra.

“Diçka që më befason shumë është habia e njerëzve që nuk mund të besojnë se gratë dinë të organizojnë logjistikën, si të pastrojnë para, madje edhe si të ekzekutojnë operacione të dhunshme,” tha Deborah Bonello, një gazetare e specializuar në çështjet e sigurisë dhe autore e botuar së fundmi “Narcas: Ngritja sekrete e grave në kartelet e Amerikës Latine”, e cila thellohet në jetën dhe krimet e disa prej grave më të fuqishme në strukturat kriminale si kartelet.

“Nëse shohim që ka gra që menaxhojnë kompani si Metaverse, banka, organizata super të mëdha, pse e kemi kaq të vështirë të kuptojmë që ato veprojnë në të njëjtën mënyrë në botën e krimit? pyeti Bonello.

Drejtimi nga prapaskena

Hulumtimi i Bonello-s përputhet me gjetjet e Grupit të Krizave në lidhje me rolin e rëndësishëm që luajnë tani shumë gra në strukturat e ndërlikuara kriminale si kartelet e drogës.

Megjithëse ka precedentë të famshëm për inkursionet e grave në këto veprimtari, si kolumbiania e ndjerë Griselda Blanco dhe kiliania Yolanda Sarmiento – libri i Bonello-s përshkruan ngritjen dhe rënien e grave të tjera që nuk u përshtaten stereotipeve skandaloze të falsifikuara nga kriminelët famëkeq si Pablo Escobar , vëllezërit Rodríguez Orejuela dhe Joaquin “El Chapo” Guzmán.

“Mendoj se kartelet nuk janë organizata ideologjike, por organizata biznesi. Dhe kur shohin se gratë mund të vrasin, pastrojnë para, transportojnë mallra, atëherë ato përdorin aftësitë e tyre. Nuk i përjashtojnë thjesht sepse janë femra, është çështje parash, fitimesh”, tha Bonello.

Në “Narcas”, Bonello tregon historinë e një numri grash, duke përfshirë meksikanen Guadalupe Fernández Valencia, e cila ishte dora e djathtë e Chapo Guzman; Sebastiana Cottón Vásquez, një fshatare nga Guatemala e cila u ngrit në pushtet brenda një mafieje mashkullore; dhe Marllory Chacón Rossell, bashkëpunëtorja e Cottón, e cila, sipas DEA-s, përfundoi duke u bërë një nga trafikantet më pjellore të drogës në Amerikën Latine.

Lirbri gjithashtu shqyrton jetën e Digna Valle, një matriarke kriminale nga Hondurasi, i cili ishte fytyra femërore e kartelit brutal të Valle-s, si dhe motrat Lemus, të cilat u rritën në Guatemalën rurale dhe krijuan një forcë brutale që ndikoi në politikën në rajonin e tyre.

Sipas autorit, një gjë që ndajnë të gjitha këto gra është dëshira e tyre për të ushtruar pushtetin nga prapaskena.

“Burra si Pablo Escobar dhe El Chapo krijuan figurën e trafikantit të drogës në Amerikën Latine, i cili, sipas definicionit, është mashkull. Ndoshta është pak naive ose seksiste të mendosh se fuqia e grave do të jetë versioni femëror i kësaj nëse do silleshin si burra. Në përgjithësi, shoh që femrat kanë më pak dëshirë për të tërhequr vëmendjen”, tha ajo.

Bonello gjithashtu thekson në librin e saj se këto gra priren të hyjnë në biznesin e krimit të organizuar më vonë se burrat. Përveç kësaj, ato krijojnë grupe që janë zakonisht të bazuara në familje, klane ku marrin pjesë bashkëshortët, fëmijët, kushërinjtë dhe të afërmit e tjerë. Shumë prej tyre vijnë nga prejardhje të varfër me pak arsimim dhe pak mundësi për punësim ligjor që është po aq fitimprurës.

Vëzhgimet e Bonello-s përputhen me gjetjet e Grupit të Krizave në atë se grupet kriminale ofrojnë një formë mbrojtjeje që shteti dhe sistemi gjyqësor nuk arrijnë ta ofrojnë. Në shumë raste, bashkimi me një grup të armatosur mund të jetë një strategji mbijetese dhe një mënyrë për këto gra për të ushtruar pushtetin në mjedise ku dhuna gjinore është e madhe.

Këto gra kapërcejnë pengesa të tilla si pabarazia, diskriminimi dhe maskilizmi dhe grumbullojnë me mjeshtëri doza të mëdha fuqie dhe aftësi të rëndësishme operacionale dhe kryejnë role jetike për organizatat. Në shumë raste, përgjegjësit e këtyre rrjeteve kriminale hierarkike tentojnë të fshehin faktin se gratë drejtojnë shumë prej operacioneve të tyre.

Wanda del Valle Bermúdez Viera

“Unë nuk dyshoj se ka gra shumë të fuqishme në trafikun e drogës, por ne nuk i njohim ato, nuk i shohim sepse ato nuk përshtaten me mënyrën tonë të të kuptuarit të botës,” tha Bonello.

“Ne nuk po i kërkojnë sepse, ndoshta, ne besojmë se ato do sillen si El Chapo – e vërteta është se ato sillen në një mënyrë më delikate, më të fshehur. Jam e sigurt se ka gra që janë bërë shumë të rëndësishme në këto grupe kriminale.”

Shpesh, tha Bonello, lidhjet romantike ose familjare të grave në trafikun e drogës përdoren për t’i minimizuar ato ose për të margjinalizuar rolet e tyre në organizata. Ajo përmendi Emma Coronel, gruan e El Chapo-s, si shembull.

Ndërsa supozohet se gratë janë në këto organizata për shkak të marrëdhënieve të tyre, sipas Bonello-s, burrat janë gjithashtu në biznes për shkak të lidhjeve familjare, dhe megjithatë supozohet se ndikimi i burrave është më i madh ose më i rëndësishëm. Por sipas saj nuk është kështu.

“Gratë ekzistojnë dhe, në shumë raste, janë vendimtare për suksesin e këtyre organizatave kriminale,” tha Bonello.

E dhunshme dhe brutale

Në shumicën e rasteve që Bonello përfshiu në librin e saj, gratë janë rritur në rrethana të dhunshme dhe shpesh kryejnë edhe strategji të dhunshme për t’u vendosur në qarqet kriminale. Kur marrin pjesë në trafikun e drogës, nëse nuk janë ato që vrasin, kanë të tjerë që e bëjnë për to dhe përgjithësisht gëzojnë fuqinë dhe adrenalinën që karakterizon shumë nga veprimet operacionale.

“Për shembull, Digna Valle veproi në një mënyrë brutale kur ishte fjala për mbrojtjen e familjes dhe biznesit të saj. Nëse kjo do të thoshte të vriste ose t’i linte vëllezërit e saj të përdhunonin gratë e qytetit, ajo e bëri këtë sepse e kuptoi se ishte pjesë e ruajtjes së pushtetit dhe janë strategji për të imponuar terror dhe për të kontrolluar popullsinë vendase”, tha Bonello.

“Në kuptimin e menaxhimit të dhunës, ndoshta gratë nuk e bëjnë atë aq shumë me duart e tyre, por nuk është se nuk dinë si ta trajtojnë atë sepse mund të jenë shumë, shumë të dhunshme.”

Në Meksikë, ku vrasjet e femrave dhe dhuna gjinore janë një çështje e vijueshme, inkursioni dhe rritja e grave në krimin e organizuar është një e vërtetë që ngre alarme.

“Është një problem i përgjithshëm sigurie. Të gjitha gratë që hetova i sollën fëmijët e tyre në biznes, ashtu si edhe burrat, sepse i gjithë krimi i organizuar në Amerikën Latine ka të bëjë me familjen. Kështu që të mbrosh biznesin është njësoj si të mbrosh familjen. duke e mbrojtur me jetë, nëse është e nevojshme”, tha Bonello.

“Unë besoj gjithashtu se figura e gruas, të dashurës, viktimës është aq e fortë sa kolumbianët dhe meksikanët e kanë të vështirë të besojnë se gratë kanë këtë aftësi për të qenë kriminele.”

Në “Narcas”, një nga arritjet e Bonello-s është se ajo arrin të zbërthejë historitë e këtyre grave dhe të analizojë efektet e krimeve të tyre pa i glorifikuar ato. Natyra e paligjshme e veprimtarive të tyre dhe pasojat e thella në vendet ku veprojnë janë të pranishme në të gjithë kapitujt.

“Krimi i organizuar është kërcënimi më i madh për sigurinë publike në të gjithë rajonin, sepse ai prek sistemin e qeverisjes dhe ligjet, prandaj qëllimi im nuk ishte kurrë t’i përgëzoja ato apo të lartësoja arritjet e tyre kriminale,” tha Bonello.

“Përkundrazi, ndihem se duhet të krijohen politika për të parandaluar gratë dhe burrat të hyjnë në këtë biznes, sepse, e vërteta është se nuk është e përshtatshme për ta. Askush nuk mbijeton”.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Borderland Beat

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani