Vendosni fjalën kyçe....

Udhëheqësi i Hamasit në Egjipt për bisedime, ndërsa vazhdojnë diskutimet për një pauzë të mundshme në luftime


Grupi militant Hamas njoftoi të mërkurën se udhëheqësi i saj Ismail Hanijeh është në Kajro për bisedime rreth luftës në Gazë me zyrtarët e Egjiptit.

Në të kaluarën Egjipti ka luajtur rol si ndërmjetës mes Hamasit dhe Izraelit, përfshirë edhe për armëpushimin e përkohshëm njëjavor në fund të nëntorit, që përfshiu lirimin e mbi 100 pengjeve.

Në bisedime është diskutuar për një pauzë të re të mundshme në luftime që do të përfshinte lirimin e pengjeve të rrëmbyera nga Hamasi, por palët ende nuk kanë rënë dakord.

Presidenti izraelit Isaac Herzog u tha diplomatëve ndërkombëtarë të martën se Izraeli është i përgatitur të bëjë marrëveshje për një pauzë humanitare në këmbim të lirimit të pengjeve. Ai po ashtu deklaroi se Izraeli nuk po lufton kundër palestinezëve, por vetëm kundër Hamasit.

Luftimet në Gazë vazhduan të mërkurën dhe ushtria izraelite njoftoi se ka sulmuar mbi 300 objektiva gjatë ditës.

Ndërkohë Këshilli i Sigurimit i OKB-së planifikon të mbajë një votim tjetër të mërkurën që parashikon një pauzë në luftime për të lehtësuar hyrjen e ndihmave të mëtejshme humanitare për njerëzit në Gazë që kanë nevojë urgjente për ushqime, ujë dhe barna.

Votimi ishte planifikuar të mbahet të hënën, por është shtyrë dy herë për shkak të negociatave rreth përmbajtjes të saj, ndërkohë që Emiratet e Bashkuara Arabe, hartuesit e kësaj proejkt-rezolute, po përpiqen të sigurojnë mbështetje për të.

Projekt-rezoluta në formën aktuale, të cilën e ka parë Zëri i Amerikës, “kërkon” që palët në konflikt “të lejojnë, lehtësojnë dhe mundësojnë dërgimin e menjëhershëm, të sigurte dhe të papenguar të ndihmës së shtuar humanitare popullatës civile palestineze nëpër tërë Rripin e Gazës” përmes rrugëve më të shpejta. Ajo po ashtu “bën thirrje për pezullim urgjent të armiqësive” për të lejuar depërtim të sigurt dhe të papenguar të ndihmës.

Teksti i rezolutës po ashtu autorizon një mekanizëm monitorues të OKB-së që të konfirmojë natyrën humanitare të ndihmave të dërguara në Gazë përmes disa pikave të kalimit.

Përpjekja për të miratuar një rezolutë në Këshillin e Sigurimit më 8 dhjetor që bënte thirrje për armëpushim dështoi pasi Shtetet e Bashkuara përdorën të drejtën e vetos.

Ndërkohë që votimi po shtyhej të martën mëngjes për pasdite, zëvendës-ambasadori amerikan në OKB, Bob Wood u tha gazetarëve se “ende po punojmë në të.”

Ky votim ishte shtyrë për të mërkurën.

Përfaqësuesja e Emirateve të Bashkuara Arabe, Lana Nusseibeh u tha gazetarëve se “përfundimisht, qëllimi është armëpushimi, por siç e dini së fundi nuk u miratua. Prandaj na duhet të arrijmë në pikën ku punonjësve të ndihmave u lejohet të punojnë në kushte të sigurta dhe me intensitet të shtuar.”

“Thirrjet për armëpushim nga prizmi i të drejtave të njeriut dhe nga aspekti humanitar po bëhet gjithnjë e më të zëshme dhe duhet t’i dëgjojmë,” deklaroi Komisioneri i lartë i OKB-së për të drejta të njeriut, Volker Turk.

Izraeli është zotuar se do ta shkatërrojë Hamasin, që qeveris Rripin e Gazës, pas sulmit të militantëve të grupit në pjesën jugore të Izraelit më 7 tetor. Izraeli thotë se 1,200 njerëz janë vrarë dhe rreth 240 janë rrëmbyer gjatë sulmit terrorist. Mbi 100 pengje vazhdojnë të mbahen në Gazë.

Izraeli është kundërpërgjigjur dhe sulmet izraelite kanë lënë mbi 19,600 të vrarë në Gazë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë e cila udhëhiqet nga Hamasi dhe që nuk bën dallimin ndërmjet viktimave civile dhe të armatosurve. Izraeli ka njoftuar se 132 ushtarë izraelitë janë vrarë gjatë sulmit tokësor.

Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë, UNRWA, thotë se konflikti ka detyruar 85 për qind të popullatës së Gazës të braktisin shtëpitë e tyre, shumë prej të cilëve po mundohen të strehohen në strehimet e OKB-së në pjesën jugore të Gazës, të cilat tashmë kanë tejkaluar shumëfish kapacitetin e tyre./VOA