Vendosni fjalën kyçe....

Ukraina lëshon fletarrestim për Patriarkun rus Kirillin


Ministria e Brendshme e Ukrainës e shtuar kreun e Kishës Ortodokse Ruse, Patriarkun Kirill, në listën e personave në kërkim, pasi shërbimet e sigurisë e kanë akuzuar atë për nxitje të konfliktit.

Patriarku Kirill është përkrahës i zëshëm i luftës së nisur nga Rusia në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

Masa është krejtësisht simbolike, pasi Patriarku Kirill është në Rusi, dhe nuk rrezikohet nga arrestimi.

Por, ky është vetëm një prej hapave të marrë nga Ukraina, e cila mëton të çrrënjosë ndikimin e klerikëve fetarë, të cilët mbajnë lidhje të ngushta me Rusinë, dhe përçajnë shoqërinë ukrainase.

Besimi i krishterë ortodoks është feja dominuese në Ukrainë, dhe autoritetet ukrainase kanë hapur së fundi disa raste penale kundër klerikëve të lidhur me një degë të Kishës Ortodokse, e cila më parë ka pasur komunikim direkt me Kishën e Rusisë dhe Kirillin.

Parlamenti në Kiev është duke e shqyrtuar një projektligj që ndalon veprimtarinë e asaj dege, me arsyetimin se ajo i ka humbur shumicën e famullitarëve prej nisjes së luftës.

Kisha, në anën tjetër, insiston se i ka ndërprerë të gjitha lidhjet me Moskën, në maj të vitit 2022.

Patriarku Kirill i ka dënuar këto veprime dhe u ka bërë thirrje klerikëve në botë, që të veprojnë për t’i ndalur hapat e Ukrainës kundër kishës.

Një zyrtar i lartë i Kishës ruse ka thënë për agjencinë ruse të lajmeve RIA, se futja e emrit të Kirillit në listën e personave të kërkuar është “hap sa qesharak, aq edhe i parashikuar”.

Lufta e plotë e Rusisë në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022

Presidenti rus Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL