Vendosni fjalën kyçe....

Vetoja ndaj rezolutës së OKB, Rusia: SHBA, bashkëpunëtore në masakrën që po bën Izraeli në Gaza


Rusia ka sulmuar SHBA-në pas vetos së saj të premten ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bënte thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza. Diplomati rus akuzoi Uashingtonin si “bashkëpunëtor në masakrën brutale të Izraelit” në një deklaratë për këshillin pas votimit.

“Kolegët tanë amerikanë kanë dënuar me vdekje mijëra – nëse jo dhjetëra mijëra – më shumë civilë në Palestinë dhe Izrael, duke përfshirë gra dhe fëmijë, së bashku me punëtorët e OKB-së që po përpiqen t’i ndihmojnë ata,” tha Zëvendës Përfaqësuesi i Parë i Përhershëm rus në OKB Dmitry Polyansky.

“Dikush mund të thotë shumë fjalë të bukura, por boshe për demokracinë, të drejtat e njeriut, paqen, sigurinë, disa rregulla dhe rend, por sot, ne mësuam vlerën e vërtetë të këtyre fjalëve pasi dy anëtarë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së preferuan të mbeten bashkëfajtorë në masakrën brutale të Izraelit”, tha diplomati referuar SHBA dhe Britanisë së Madhe.

Zainab Khalil, 57 vjeç, e zhvendosur me 30 nga të afërmit dhe miqtë e saj në Khan Younis në perëndim të pozicioneve izraelite, tha se trupat kishin urdhëruar njerëzit në rrugën pranë Jalal të largoheshin, “kështu që mund të jetë çështje kohe para se ata të veprojnë edhe kundër zonës sonë. Ne kemi dëgjuar bombardime gjatë gjithë natës.”

“Ne nuk flemë natën, rrimë zgjuar, përpiqemi t’i vëmë fëmijët në gjumë dhe qëndrojmë zgjuar nga frika se mos bombardohet vendi dhe do të na duhet të vrapojmë duke nxjerrë fëmijët jashtë. Gjatë ditës fillon një tjetër tragjedi. dhe kjo është: si t’i ushqejmë fëmijët?

Nassar dhe një spital tjetër jugor, al Aqsa në Deir al-Ballah, raportuan 133 të vdekur dhe 259 të plagosur mes tyre në 24 orët e fundit, duke rritur numrin zyrtar tashmë në gati 17,500, me mijëra të tjerë të zhdukur dhe të supozuar të vdekur.

Nuk kishte shifra të reja të shtunën për të vdekur dhe të plagosur nga pjesë të tjera të Gazës, duke përfshirë të gjithë gjysmën veriore, ku spitalet kanë pushuar së funksionuari dhe ambulancat shpesh nuk mund të arrijnë më të vdekurit.

“Ne besojmë se numri i martirëve nën rrënoja mund të jetë më i madh se sa ata të marrë në spitale”, tha zëdhënësi i ministrisë së shëndetësisë Ashraf al-Qidra për Reuters.

Luftimet në veri kanë qenë më intensive në pjesë të qytetit të Gazës dhe vendbanimeve në skajin verior të tij, ku shpërthime të mëdha mund të shiheshin nga përtej gardhit në Izrael. Familjet e Gazës veriore po postonin mesazhe në internet duke iu lutur ekuipazheve të urgjencës që të shkonin në qytetin e Gazës për të shpëtuar të dashurit e mbetur ende të bllokuar atje.

“I bëjmë thirrje Kryqit të Kuq dhe emergjencës civile që menjëherë të shkojnë në shtëpinë e Attallah. Njerëzit janë të rrethuar brenda shtëpisë së tyre në rrugën Jala në qytetin e Gazës, afër ndërtesës Zaharna. Shtëpia është në flakë”, kanë shkruar anëtarët e familjes Attallah.