Vendosni fjalën kyçe....

Policia zbardh dinamikën e vrasjes në Fier: Pati shkëmbim zjarri midis autorit dhe viktimës. I përfshirë edhe vëllai i të kërkuarit


Policia ka zbardhur dinamikën e ngjarjes së rëndë një ditë pas vrasjes së Elton Javorit në Fier.

Sipas policisë, midis 41-vjeçarit që mbeti i vdekur dhe autorit të dyshuar, Agim Gashi, ka pasur një konflikt më herët për motive të dobëta.

Gashi sipas policisë, ka qenë në krahun e pasagjerit të automjetit tip “Benz” dhe ka qëlluar me armë në drejtim të “Fuoristradës” e cila drejtohej nga Elton Javori.

Bashkëpunëtor në këtë ngjarje është edhe vëllai i Agim Gashit, i cili drejtonte automjetin tip Benz.

 

Njoftimi i policisë:

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga grupi hetimor i përbërë nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier dhe atyre të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetetit, rezultoi se:

Ditën e djeshme në lagjen “16 Prilli”, Fier, nga një automjet tip “Benz”, nga krahu i pasagjerit, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip “Fuoristradë” e cila drejtohej nga shtetasi E. J., 41 vjeç.

Pas këtij veprimi, shtetasi E. J., ka qëlluar disa herë me armë zjarr pistoletë në drejtim të automjetit tip “Benz”. Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, ka mbetur i vrarë shtetasi E. J., 41 vjeç.

Nga hetimet rezultoi se autorët që udhëtonin me automjetin tip “Benz” janë shtetasit A. G., 35 vjeç dhe K. G., 33 vjeç(vëllezër), të cilët janë shpallur në kërkim dhe po punohet intensivisht për kapjen dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, në afërsi të automjetin tip “Fuoristradë”, u gjet 1 armë zjarri pistoletë me nr trupi të paidentifikuar e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Motivi i kësaj ngjarjeje kriminale dyshohet një konflikt i nisur disa kohë më parë midis shtetasit A. G. dhe shtetasit E. J. për motive të dobëta.

Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna hetimore për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje dhe mbledhjen e te gjitha provave për dokumentimin e plotë të saj.

Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, në ngarkim të shtetasve A.G. dhe K.G., të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.