Vendosni fjalën kyçe....

Balluku në takimin e COP 28 në Dubai: U firmos një deklaratë e përbashkët për rritjen e kapaciteteve të energjisë së rinovueshme


Belinda Balluku ishte e pranishme sot në takimin e COP 28 në Dubai ku u fol mbi ndryshimet klimatike dhe hapat që duhet të ndërmarrin qeveritë në nivel lokal.

Sipas Ballukut dita e sotme ishte një ditë e rëndësishme, pasi 123 vende, përfshirë edhe Shqipërinë kanë firmosur një deklaratë të përbashkët me angazhime të mirëfillta për çdo qeveri.

Nga ana tjetër zv.kryeministrja Balluku paraqiti në këtë ministerial edhe arritjet e Shqipërisë në fushën energjitike, për sa i përket diversifikimit të burimeve të rinovueshme.

Belinda Balluku: “Sot është një ditë e rëndësishme në COP 28 që zhvillohet në Dubai. Një javë totalisht e fokusuar tek Ndryshimet Klimaterike dhe të gjithë aksionet që duhen marrë globalisht për të shpëtuar planetin tonë. Ka pasur takime të liderëve të mbarë botës, por është vazhduar edhe me takime të tjera në nivel ministerial siç ishte dita e sotme, ku 123 vende kanë firmosur një deklaratë të përbashkët me angazhime të mirëfillta për çdo qeveri. Duhet thënë se një nga angazhimet më të mirëfillta është ai i trefishimit të fuqisë së instaluar të burimeve të rinovueshme në shkallë globale deri në vitin 2030 me 11 mijë gigavat/orë. Gjithashtu jemi angazhuar që në ditët në vijim do të kemi një rritje të mbrojtjes së eficiencës së energjisë me 2% akoma më shumë. Pra nga 2% në 4%. Në ndërkohë duhet vendosur eficienca energjitike në krye të listës së çdo projekti, çdo politike dhe të çdo angazhimi qeveritar këto 123 vende që kanë pranuar këtë deklaratë. Për t’i arritur të gjitha këto shtetet janë angazhuar të adoptojnë politikat e tyre lokale dhe gjithashtu të vendosin targete të larta dhe të fokusohen në rritjen e kapaciteteve të energjisë së rinovueshme, si dhe të eficiencës së energjisë. Gjithashtu kanë marrë angazhim 123 shtetet të njohin nevojën për një bashkëpunim më të ngushtë ndërkombëtar, bazuar në inovacion dhe teknologji të reja që përdoren për prodhimin e energjisë por dhe eficiencën energjitike. Dhe duhet thënë se në këtë tryezë të nivelit të lartë ku morën pjesë të gjithë ministrat përfaqësues të energjisë dhe të klimës për 123 vendet, u shpreh qartë se çdo vend duhet ta kostumizojë këtë politikë duke arritur kështu të gjitha targetet për të ardhmen. Gjatë ministerialit të COP 28 sot në emër të qeverisë shqiptare dhe në emër të kryeministrit Rama kam arritur të paraqes të gjitha arritjet në fushën energjitike për sa i përket diversifikimit të burimeve të rinovueshme që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka ndërmarrë. Sigurisht të gjitha projektet e reja që do të kontribuojnë në të gjitha ato targete që thashë pak më parë por edhe në politikat që qeveria shqiptare do të ndërmarrë në të ardhmen dhe të gjithë incentivat dhe i gjithë motivimi që ne kemi dhënë për eficiencën e energjisë, duke qenë të bindur se është çelësi i suksesit për të arritur të gjitha targetet e mundshme.