Vendosni fjalën kyçe....

Emiratet e Bashkuara njoftojnë krijimin e një fondi prej 30 miliardë dollarësh për përballjen me ndryshimet klimatike


Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) njoftuan se është krijuar një fond prej 30 miliardë dollarësh për të zgjidhur problemet me ndryshimet klimatike në botë, transmeton Anadolu.

Siç raporton Agjencia zyrtare e lajmeve të EBA-së, WAM, presidenti i Emirateve, Mohammed bin Zayed Al Nahyan foli në hapjen e Konferencës së 28-të të palëve (COP28) të konventës në kuadër të OKB-së për ndryshimet klimatike.

Ai theksoi se konferenca u mbajt në një kohë kur kishte shumë sfida në botë dhe tha se ndër më të rëndësishmet prej tyre ishin ndryshimet klimatike dhe pasojat që prekin të gjitha fushat e jetës.

Duke bërë të ditur se është krijuar fond prej 30 miliardë dollarësh për të mbyllur hendekun e financimit të ndryshimeve klimatike dhe zgjidhjet për këtë çështje, Al Nahyan tha se me këtë fond synohet deri në vitin 2030 një investim prej 250 miliardë dollarësh.

Al Nahyan deklaroi se EBA-ja ka investuar 100 miliardë dollarë për të financuar studimet e ndryshimeve klimatike dhe energjinë e rinovueshme dhe të pastër dhe synon të investojë 130 miliardë dollarë të tjerë në 7 vitet e ardhshme.

Konferenca e cila nisi dje në “Expo City” në Dubai do të vazhdojë deri më 12 dhjetor. Këtë vit, më shumë se 180 krerë shtetesh dhe qeverish do të marrin pjesë në COP28, të kryesuar nga EBA-ja.

Konferenca e OKB-së për ndryshimet klimatike të palëve mbahet në një vend të ndryshëm çdo vit për të bërë vlerësime vjetore mbi ndryshimet klimatike.