Vendosni fjalën kyçe....

Sulmohet me dron iranian anija me pronësi izraelite


Një anije transporti karburantesh në pronësi të një miliarderi izraelit u sulmua nga një dron iranian në Oqeanin Indian, tha të shtunën një zyrtar amerikan i mbrojtjes.

Sulmi i së premtes ndaj anijes “CMA CGM Symi” vjen ndërsa linjat e transportit ndërkombëtar të mallrave janë bërë gjithnjë e më shumë objekt sulmesh që me fillimin e luftës Izrael-Hamas, e cila rrezikon të zgjerohet në një konflikt më të gjerë rajonal, megjithë armëpushimin e përkohshëm të arritur për një pauzë në luftime, si dhe për shkëmbimin e pengjeve të marra nga Hamasi dhe të burgosurve palestinezë në Izrael, shkruan AP.

Zyrtari amerikan i mbrojtjes foli me agjencinë e lajmeve The Associated Press, me kusht ruajtjen e anonimitetit për shkak të të dhënave të zbulimit. Ai tha se anija me flamur maltez mendohet se është sulmuar ndërsa gjendej në ujërat ndërkombëtare nga një dron me formë trekëndëshe Shahed-136, që mbarte lëndë eksplozive. Droni shpërtheu duke i shkaktuar dëme anijes, por pa lënduar pjesëtarët e ekuipazhit.

“Vazhdojmë të monitorojmë situatën nga afër”, tha zyrtari amerikan. Ai nuk shpjegoi se çfarë të dhënash zbulimi pati ushtria amerikane për të konkluduar se pas sulmit fshihej Irani, megjithëse autoritetet amerikane mendojnë se sulmi u krye nga Garda Revolucionare e Iranit.

Të njëjtët dronë janë përdorur nga Rusia në luftën në Ukrainë, madje edhe në sulmin ndaj Kievit të shtunën, që u konsiderua si sulmi më masiv me dronë të bërë që nga fillimi i luftës.

Kompania e transportit detar “CMA CGM” e ka selinë në Marsejë të Francës dhe i drejtoi pyetjet e mediave tek kompania me bazë në Singapor “Eastern Pacific Shipping”. Kjo kompani është në pronësi të miliarderit izraelit Idan Ofer.