Vendosni fjalën kyçe....

Kodi i ri Penal, ish-ministri Manjani: S’ka aktiv e pasiv, përgjegjësi i vetëm për korrupsionin është zyrtari publik


manjani

Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka komentuar ndryshimet e mundshme në Kodin e ri Penal duke bërë thirrje për një diskutimtë qenësishëm lidhur me ndëshkimet e parashikuara për korrupsionin.

Në një shënim në Facebook, ai thekson se terminologjia e përdorur për zyrtarët që marrin ryshfet si ‘korrupsion pasiv’ nuk është aspak e përshtatshme madje i paraqet ata si viktima ndërsa personat që japin ryshfet për të përfituar diçka paraqiten si kriminelë nën termin ‘korrupsion aktiv’ .

“Nuk ka “aktiv” e”pasiv” por ka korrupsion. Gjithnjë në kuadër të Kodit të ri Penal, gjykoj se duhet diskutuar mirë e mirë ideja e ndëshkimit të korrupsionit. Sot ne kemi adaptuar idenë e korrupsionit si marrëdhënie dypalëshe. Njëra palë, (aktivi) jep para, ndërsa pala tjetër në marrëdhënien e paligjshme (pasivi) jep favorin në këmbim të parave. E parë në këtë këndvështrim, punonjësi i shtetit apo politikani me pushtet duke u quajtur “pasiv” ngjan si viktimë e jo si personi që shkel rregullin, prish garën dhe dëmton buxhetin e interesin publik. Ligji penal gati sa nuk thotë “gjynah pasivi i shkretë”!!! Ai “aktivi”, që në thelb është nevojtari për punë e shërbim, ai është i poshtri, krimineli…!!! Por ligjërisht, sot për sot janë të dy njësoj, le të themi.” – shkruan Manjani

Ai shton më tej se ligji për korrupsionin nuk është i duhuri dhe se përgjegjës për korrupsionin është vetëm zyrtari publik që paguhet nga taksat e qytetarëve dhe që shkel ligjin e dëmton publikun për interes personal. Manjani thekson se kjo është mënyra e vetme eficiente për të luftuar korrupsionin.

“Pyetja është: a është ky ligji i duhur?! Unë them se JO. Për mua korrupsioni ka vetëm një person përgjegjës: Zyrtarin publik që shkel rregullin dhe dëmton publikun në këmbim të përfitimit personal. Këtu fillon dhe mbaron arsyetimi mbi veprën penale të korrupsionit. Nëse duam ta luftojmë me eficensë këtë fenomen ky është kuptimi që e fokuson zgjidhjen tek problemi. Shpërndarja e fajit dhe e përgjegjësisë nuk e lufton, por e përhap artificialisht. E çon ndëshkimin aty ku nuk duhet deri sa e bën të pandëshkueshëm.” – shton ish-ministri i Drejtësisë.

Më tej Manjani sqaron se ai që dëmton publikun është zyrtari i administratës ndërsa personi që jep bakshish apo dhurata nuk ka si synim të dëmtojë publikun.

Sipas ish-ministrit, çështja zgjidhet si kudo me zyrtarin që e deklaron dhuratën e marrë në institucionet përkatëse.

Ndërsa vënia e kushtit paraprak nga zyrtari për të dhënë një shërbim përmes pagesës është korrupsion që bëhet prej tij dhe përgjegjësia është e tij.

“Shihni me vemendje, ai/ajo që jep para e bën për dy arsye: Ose do të japë një bakshish në shenjë respekti, ose do të paguajë një çmim si kusht për të marrë punë. Të dyja rastet janë legjitime. Në asnjë rast dhënësi i parave nuk ka qëllim të dëmtojë publikun, por ti shërbejë personales. Shkëmbimi i dhuratave është njerëzore. Në vendin ku jemi rritur e jetojmë ka ndodhur gjithmonë e do ndodhë kjo gjë, sepse është pjesë e kulturës publike. Dhurata, deri në një nivel të caktuar pranohet, por duhet deklaruar. Këtë e bën gjithë perëndimi. Marrëdhënia e dhuratëshkëmbimit nuk ka pse të kriminalizohet. Ajo zgjidhet administrativisht. Kriminalizohet mosdeklarimi, por jo pranimi i dhuratës. Ndërsa “Aktivi”, pra ai që paguan në çmim si kusht për të marrë punën, është “viktimë” dhe kurrsesi kriminel! Ai që dëmton publikun është zyrtari, që përdor detyrën për të bërë para. Zyrtari që vendos kusht për të marrë në punë apo shërbim është thelbi i korrupsionit. Ndaj ky është subjekt i përgjegjësisë penale.” – thekson ai.

Në fund ish-ministri i Drejtësisë sjell si shembull shitblerjen e votës në zgjedhje ku raporti ndryshon me korrupsionin aktiv që vjen nag kandidati a politikani dhe me pasivin që është publiku.

Manjani shkruan se edhe ky concept duhet ndryshuar duke theksuar se nuk ka korrupsion zgjedhor por blerje votash.

“Ah, edhe një gjë, aktivi dhe pasivi ndryshon tek koncepti i sotëm i korrupsionit zgjedhor. Në këtë rast aktivi është politikani, pasivi populli…Unë mendoj se këtu nuk jemi para marrëdhënies së korrupsionit, por përpara blerjes së votave.  Pra edhe ky koncept duhe ndryshuar në Kodin e ri Penal. Nuk ka korrupsion zgjedhor, por ka blerje votash. Unë kështu e mendoj.” – mbyll shënimin ish-ministri Manjani.