Vendosni fjalën kyçe....

Rrëmbimi i anijes së mallrave në Detin e Kuq, militantët Houthi shfaqin videon e operacionit


Lëvizja Houthi e Jemenit publikoi pamje e rrëmbimit të një anijeje mallrash të lidhur me një biznesmen izraelit. Anija e madhe u rrëmbye në Detin e Kuq nga persona të armatosur të cilët zbarkuan në bordin e saj me helikopter. Sulmi duket të jetë i pari i këtij lloji nga grupi rebel, i cili në fakt i ka shpallur luftë Izraelit për rrethimin e Gazës.

Videoja dyminutëshe fillon me një helikopter të armatosur lehtë, me sa duket një version i një mjeti transporti Mil Mi-17Sh, i cili është zbukuruar me flamujt e Palestinës dhe lëvizjes Houthi. Ai i afrohet anijes, “Galaxy Leader” dhe rri pezull mbi të përpara se disa persona të armatosur të zbarkojë për disa sekonda.

Ata hidhen dhe marrin nën kontroll kuvertën, përpara se të lëvizin shpejt për të siguruar urën. Pamjet më pas shfaqin një luftëtar në kuvertën e poshtme duke tundur një pistoletë.

Rrëmbimi ndodhi në brigjet e Jemenit pranë portit të Hodeida, teksa “Galaxy Leader” po lundronte për në Indi. Anija është një transportues automjetesh me flamur e Bahamasë dhe kishte 25 anëtarë të ekuipazhit në bord në kohën e incidentit, sipas operatorit NYK Line.

Militantët shënjestruan anijen për shkak të lidhjeve të saj të supozuara me Izraelin, megjithëse zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu mohoi çdo lidhje pasi dënoi rrëmbimin. Të dhënat publike të cituara nga Associated Press thonë se pronari britanik i anijes, Ray Car Carriers, u themelua nga manjati i anijeve Abraham ‘Rami’ Ungar, një nga njerëzit më të pasur në Izrael dhe një mbështetës i kauzave të krahut të djathtë.

Jemeni nuk ka një qeveri qendrore plotësisht funksionale, por lëvizja Houthi, kontrollon kryeqytetin Sanaa dhe ka qasje në teknologjinë ushtarake të nivelit shtetëror. Ndërmjet viteve 2015 dhe 2022, grupi rebel shiit luftoi kundër një koalicioni të kombeve arabe të udhëhequr nga Arabia Saudite që kërkonin të rivendosnin Abdrabbuh Mansur Hadin si president të Jemenit.

Në fund të tetorit, një zëdhënës i grupi njoftoi se kishte lëshuar disa raketa ndaj objektivave izraelite në mbështetje të kauzës palestineze dhe akuzoi qeveritë arabe për “marrëveshje” me Izraelin. Një dron i ushtrisë amerikane MQ-9 Reaper u rrëzua në brigjet e Jemenit në fillim të këtij muaji, me zyrtarët që fajësuan rebelët Houthi.