Vendosni fjalën kyçe....

Kongresmeni amerikan shpenzoi fondet e fushatës për OnlyFans – Raporti


Kongresmeni republikan amerikan George Santos përdori ilegalisht fondet e fushatës për shpenzime personale si abonimet e OnlyFans dhe trajtimet me Botox, ka pohuar një komitet i etikës në Kongres.

Kongresmeni i Nju Jorkut Santos u arrestua në maj me akuza të ndryshme për mashtrim, pastrim parash dhe gënjeshtra ndaj Kongresit dhe muajin e kaluar mori një tjetër aktakuzë, duke shtuar akuza shtesë lidhur me vjedhjen e identitetit dhe një skemë të lidhur me fushatën e tij për rizgjedhje.

Komiteti i Etikës i Kongresit tha se ka zbuluar “prova thelbësore të shkeljeve të mundshme të ligjit penal federal”, duke shtuar se po ia referonte çështjen Departamentit të Drejtësisë.

“Në dritën e hetimit penal në vijim mbi Kongresmenin Santos dhe gjetjet e ISC (Nënkomiteti Hetimor) për sjellje shtesë të paakuzuara dhe të paligjshme nga ai, ISC rekomandoi që komisioni t’i referojë menjëherë këto akuza në Departamentin e Drejtësisë”, thuhet në raport.

Komiteti prej gjashtë anëtarësh, i cili është i ndarë në mënyrë të barabartë midis përkatësive republikane dhe demokrate, shtoi në raportin e tij se 35-vjeçari Santos “me vetëdije ka bërë që komiteti i tij i fushatës të paraqesë raporte të rreme ose jo të plota në Komisionin Federal të Zgjedhjeve (FEC).

Ai gjithashtu pretendoi se Santos në shumë raste kishte transferuar paratë e dhuruara për fushatën e tij të rizgjedhjes në llogaritë e tij personale. Nga atje, komiteti i etikës pretendon se Santos i përdori fondet për shpenzime të ndryshme personale dhe tha se sjellja e tij “shkel dinjitetin e zyrës dhe ka sjellë diskreditim të rëndë mbi Kongresin”.

Mes artikujve të blerë nga Santos me para të përfituara në mënyrë të paligjshme, thuhet në raport, ishin produkte luksoze nga “Hermes”, trajtime spa dhe qëndrime në hotel. Ai gjithashtu pretendon se Santos përdori paratë e fushatës për të paguar për abonimet e OnlyFans, si dhe për trajtimet e terapisë me Botox.

Menjëherë pas publikimit të raportit të enjten, Santos denoncoi në X atë që ai tha se ishte një “raport i njëanshëm” që ishte bërë “për ta njollosur” atë.

Megjithatë, ai shtoi se tani nuk do kërkojë rizgjedhje për një mandat të dytë në vitin 2024 “pasi familja ime meriton më mirë sesa të jetë nën pushkën e shtypit gjatë gjithë kohës”.