Vendosni fjalën kyçe....

Tiranë, telefononin shtetas të huaj për të investuar në bursa fiktive, pranga tre të rinjve


Tre persona janë arrestuar nga policia e Tiranës, pasi mashtronin shtetas të huaj përmes telefonit, për të investuar në bursa fiktive. Operacioni i koduar “Hide Call”, përfundoi me sekuestrimin e disa pajisjeve si 7 njësi kompjuterike, një USB si dhe celularë që përdoreshin për këtë veprimtari kriminale.

Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, operacioni policor i koduar “Hide call”.

Mashtronin shtetas të huaj, përmes telefonit, për të investuar në bursa fiktive, vihen në pranga 3 shtetas.

Procedohen në gjendje të lirë 2 shtetas, vijon puna për kapjen e një tjetri (bashkëpunëtorë me 3 të arrestuarit).

Sekuestrohen 7 njësi kompjuterike, një USB dhe celularë që përdoreshin për këtë veprimtari kriminale.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin, në drejtimin e Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Hide call”.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit E. I., 21 vjeç, M. K., 22 vjeç dhe U. T., 23 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. U., 22 vjeç, K. T., 20 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi D. T., 25 vjeç.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas ishin të punësuar në një subjekt call center, në Yzberisht, dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin telefononin shtetas të huaj, prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursën fiktive Forex.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 7 njësi kompjuterike, një USB dhe celularë që përdoreshin për këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, njofton policia.