Bashkëthemeluesi i Apple, Steve Wozniak është shtruar në spital në Mexico City, kanë raportuar disa media. Ato thonë se 73-vjeçari mund të ketë pësuar një goditje në tru, ndërsa media të tjera sugjeruan se gjendja e tij ishte shumë më pak e rëndë.
Sipërmarrësi i famshëm i teknologjisë ishte planifikuar të mbante një fjalim në një ngjarje të Forumit Botëror të Biznesit në kryeqytetin meksikan të mërkurën pasdite. Megjithatë, sipas medias REFORMA të Meksikës, duke cituar burime të konferencës, prezantimi i tij u anulua pasi Wozniak duhej të dërgohej në spital pas një “aksidenti cerebrovaskular”.
Media të tjera meksikane pohuan se shkencëtari amerikan i kompjuterave ishte marrë për një “skanim urgjent” dhe se gjendja e tij ishte e qëndrueshme.
Ndërkohë, media TMZ, duke cituar “burime me njohuri të drejtpërdrejta”, raportoi se Wozniak e mbajti fjalimin e tij, por i tha gruas së tij menjëherë më pas se ai “ndihej çuditshëm”. Më pas thuhet se ai filloi të shfaqte simptoma të paspecifikuara që shqetësuan bashkëshorten e tij Janet Hill, e cila përfundimisht këmbënguli që Wozniak të vihej nën mbikëqyrjen mjekësore.
Sipas medias amerikane, bashkëthemeluesi i Apple po i nënshtrohej testeve, me disa anëtarë të ekipit të tij që shkuan në Mexico City për të kontrolluar gjendjen e tij.
Në vitin 1976, Wozniak, së bashku me të ndjerin Steve Jobs, themeluan kompaninë Apple Computer, e cila do bëhej një zhvillues dhe prodhues kryesor i kompjuterëve personalë, laptopëve dhe pajisjeve të tjera elektronike të konsumit. Firma u ngrit në famë ndërkombëtare me telefonat e saj celularë të firmës iPhone.