Vendosni fjalën kyçe....

Ndalohen tre persona në Tiranë e Elbasan


Një 31-vjeçar është arrestuar në Tiranë pasi akuzohet për organizim lotarish të paligjshme.

Në pranga ka rënë një person me iniciale L.V. i cili u ndalua në rrugën ‘Fehmi Ibrahimi’ në Shkozë, të cilit iu gjetën në celular programe lojërash fati dhe të dhëna të ndryshme për vendosjen basteve sportive.

Po kështu në pranga ka rënë një shtetase me iniciale M.Z. e cila akuzohet për mashtrim dhe Gjykata e Elbasanit i ka caktuar masën ‘arrest në burg’.

Njoftimi

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, se një shtetas ushtronte veprimtarinë e palejuar të lojërave të fatit, në lokalin e tij, në Shkozë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Last game”. Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi:

L.V., 31 vjeç, për veprat penale “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në ambientet e lokalit në pronësi të shtetasit L. V., në rrugën “Fehmi Ibrahimi”, në Shkozë, në aparatin e tij celular, iu gjetën programe për lojëra fati dhe të dhëna të ndryshme për vendosjen e basteve sportive. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua aparati celular që dyshohet se përdorej për ushtrimin e aktivitetit të lojërave të fatit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.”

Njoftimi

“Nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Elbasan u kap dhe ndalua shtetasja M. Z., banuese në Elbasan, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi”. Policia arrestoi në flagrancë, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, shtetasin B. S., 52 vjeç, banues në fshatin Katund i Ri, Elbasan, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë, jashtë banesës së tij, ndërkohë që ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi.”